Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme dhe zëvendës Kryetarin e Komisionit Evropian, Josep Borrell, për masat që janë marrë rreth mbrojtjes nga koronavirusi dhe për ato rreth dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
Në bisedën 30-minutëshe telefonike, sipas Zyrës së Kryeministrit, në dialog do të jenë të përfshira dy ekipe: një politike dhe tjetra, profesionale.
“Në temën e dialogut të ardhshëm me Serbinë, kryeministri Kurti e njoftoi z. Borrell me përgatitjet e tij, duke theksuar dy ekipet e dialogut të Kosovës: njëri politik-përfaqësues kurse tjetri këshillues-profesional. Ekipi i parë do të kryesohej nga Kryeministri dhe do të përbëhej nga 10 anëtarë gjithsej: Kryeministri, Presidenti, Kryetarja e Kuvendit, dhe, nga një anëtar i secilës parti parlamentare: LVV, LDK, PDK, AAK-PSD, LS, Nisma-AKR dhe Grupi 6+”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Sipas komunikatës, Borrelli e mirëpriti këtë ide dhe format të kryeministrit.
“Për ekipin tjetër këshillues-profesional ku do të jenë ekspertë të fushave të ndryshme, Kryeministri Kurti do të vendosë së shpejti”, thuhet në komunikatë.






































