Kurti: Hekuran Murati, një ndër ekspertët më të mirë në fushën e financave, tash zyrtarisht është pjesë e VV-së

26.08.2019 16:35:56

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka njoftuar se partisë së tij i është bashkuar Hekuran Murati.

Në shkrimin e bërë në Facebook, Kurti ka thënë se Murati është një ndër ekspertët më të mirë në fushën e financave.

Kurti ka shtuar se aderimi i Hekuran Muratit në VV, i ka gëzuar shumë, duke shtuar se dija e tij do të jetë e domosdoshme për të hartuar një program konkret për një fitore, transmeton Telegrafi.

Njoftimi i plotë:

“Hekuran Murati, një ndër ekspertët më të mirë në fushën e financave, tash zyrtarisht është pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Fakultetin e ka mbaruar më 2007 për Menaxhimin e Biznesit në Universitetin Amerikan në Kosovë. Menjëherë ka vazhduar studimet master për Menaxhimin e Investimeve në Hochschule Bremen & University of North Carolina ëilmington.

Në Ministrinë e Financave ishte shef i divizionit të borxhit publik, pastaj konsulent në Bankën Botërore, ka punuar edhe në Bankën Qendrore të Kosovës, e shumë, e shumë vende të tjera. Është shumë i ri, por shumë i ditur. Këtë e tregon puna e madhe, përvoja e gjerë dhe performanca cilësore që e ka bërë. Këtë e dëshmon edhe aktivizmi i tij ndaj tri çështjeve të mëdha: Marrëveshja e dëmshme me Contour Global, skadimi i kontratës korruptive mes Telekomit dhe Z-Mobile, si dhe monopolin zhvatës në homologimin e veturave. Ka shkruar shumë për shumë tema në përgjithësi, e për këto të trija në veçanti. Në shumë debate është përplasur me eksponentët e pushtetit duke e mbrojtur të mirën e përgjithshme.

Hekurani na ka gëzuar fort në Lëvizjen VETËVENDOSJE! me aderimin e tij. Dija e tij do të jetë e domosdoshme për të hartuar një program konkret për një fitore të domosdoshme. Për një fitore që po e presin të gjithë qytetarët. E, Hekurani erdhi në momentin e duhur e më të nevojshëm për vendin tonë”, ka shkruar Kurti.