Kurti i del kundër Thaçit, thotë se gjendja e jashtëzakonshme është e panevojshme dhe shkakton konfuzion

17.03.2020 23:26:25

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kundërshtuar propozimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për media, zëvendësi i dytë i Kurtit, Haki Abaz.

“Ajo që është propozuar nga presidenti si gjendje e jashtëzakonshme, është konsideruar si masë ekstreme e cila është e panevojshme dhe mund të interferojë me masat që ka marrë qeveria. Ne kemi marrë lëvdatë nga ambasada e SHBA-ve dhe e Britanisë për veprimet e duhura dhe besoj që me këtë formë të bahskëpunimit ndërinstitucional dhe partnerët ndërkombëtarë do të vazhdojmë tutje për të monitoruar situatën dhe kryeministri nuk është pajtuar me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.”, tha Abazi në konferencë për media.

Më tutje, Abazi është shprehur se qeveria dhe ministritë janë duke u marrë me detyrat e tyre lidhur me situatën e krijuar pas shfaqjes së koronavirusit në Kosovë.

“Kosova tani ka 19 të infektuar, 6 prej tyre janë duke u trajtuar në kushte shtëpiake. Veprimet e qeverisë dhe të ministrive do të jenë të koordinuara dhe sigurisht jemi të përgatitur ta monitorojmë situatën. Sigurisht jemi duke përcjellur edhe në vendet e rajonit se çfarë po ndodh, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Infrastrukturës janë duke parë edhe qytetarët e Kosovës që kanë mbetur në vende të tjera por edhe ata që janë duke u kthyer”, tha Abazi, duke bërë të ditur se në Këshillin e Sigurisë Kombëtare është raportuar për punën e të gjitha ministrive veç e veç.