Kurti: Serbët e Kosovës janë në trysni të vazhdueshme nga strukturat ilegale e kriminale

15.12.2021 15:11:02

Në ceremoninë përmbyllëse të projektit të Këshillit të Evropës: “Promovimi i demokracisë vendore”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për Republikën e Kosovës, avancimi i demokracisë sonë është i një rëndësie të veçantë, dhe një demokraci më e mirë në nivelin lokal e një ndërveprim i përmirësuar në mes të nivelit qendror dhe atij lokal është pjesë e rëndësishme e konsolidimit të demokracisë dhe të shtetësisë së vendit tonë.

Kurti theksoi se shpreson që Këshilli i Evropës do të mobilizojë burime dhe do të kërkojë një zë të përbashkët për t’u angazhuar me Kosovën pavarësisht dallimeve

Demokracia lokale do të thotë që qytetari angazhohet për të siguruar që politikat lokale reflektojnë nevojat dhe preferencat e komunitetit e jo të kryetarit të Komunës. Ajo kërkon pjesëmarrje aktive qytetare në mënyrë që pushteti të mos bëhet arbitrar dhe i korruptuar apo të funksionojë vetëm për disa”, tha kryeministri.

“Si qytetarë të republikës ne s’pushojmë së kërkuari të drejta në pajtim me parimet demokratike dhe karakterin republikan të shtetit tonë, e si banorë të komunës duhet të kërkojmë shërbime më të mira, por edhe të kryejmë pjesën e angazhimit tonë si qytetar duke marrë pjesë jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por çdo ditë kur merren vendimet e kur zbatohen ato”, theksoi ai.

Duke biseduar për nivelin e demokracisë në komunat në veri të vendit tonë, kryeministri tha se është evidente se qytetarët e Republikës së Kosovës nga komuniteti serb janë në trysni të vazhdueshme nga struktura të trashëguara ilegale e kriminale të cilat veprojnë jashtë ligjit dhe pengojnë zhvillimin e demokracisë dhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në institucionet e republikës.

Ai tha se këto çështje do të adresohen përmes programit të qeverisë për sundim të ligjit dhe dialogut të qeverisë me komunitetet jo shumicë në Kosovë.

Projekti “Promovimi i Demokracisë Lokale”, i filluar nga Këshilli Evropës në korrik të vitit të kaluar, ka synim përmirësimin e qeverisjes lokale, ku për herë të parë Kosova është vendosur nën vëzhgimin e Kongresit të Autoriteteve Lokale e Rajonale.

Kryeministri theksoi se mirëpret rekomandimet nga raporti, ndërsa pret që Kongresi i Autoriteteve Lokale e Rajonale, Ministria e Pushtetit Lokal dhe Asociacioni i Komunave të punojnë së bashku drejt të njëjtave synime.

“Mirëpres veçanërisht një kontribut se si ne mund të rrisim të hyrat vetanake në mënyrë që komunat të kenë të ardhura më të mëdha, për të ndihmuar kuvendet e zgjedhura për të përmirësuar mbikëqyrjen e kryetarëve të komunave, gjenerimin e ideve se si të përmirësohet pjesëmarrja e qytetarëve dhe të fillohet të zbatohet një mekanizëm me të cilin ne mbështesim pjesët më të varfra të Kosovës me zotimin se nuk do ta lëmë asnjë komunë pas”, tha Kurti.

Duke i përgëzuar për arritjen në realizimin e këtij projekti, kryeministri uroi që ky bashkëpunim mes Këshillit të Evropës dhe Republikës së Kosovës të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme në mënyrë që të mund të zbatojmë Planin e Veprimit në përputhje me prioritetet e Ministrisë së Pushtetit Lokal.

.