Kurti shkeli marrëveshjen e koalicionit me LDK-në me shkarkimin e Agim Veliut

18.03.2020 18:23:31

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot mori vendim të shkarkojë ministrin e Punëve të Brendshme dhe nënkryetarin e parë të partnerit qeverisës, Agim Veliun.

Shkarkimi i Veliut ndodhi për shkak të deklaratës së tij dhënë mbrëmë lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme e cila nuk ishte në vijë me qëndrimin e kryeministrit Kurti, shkruan lajmi.net.

Veliu i pyetur për vendimin e Kurtit është shprehur se për këtë duhet të pyetet vet Kurti duke e quajtur mashtrues.

Në anën tjetër, kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se nuk është njoftuar nga Kurti për këtë vendim, duke e konsideruar të njëanshëm dhe në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit midis këtyre dy partive.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kur janë marrë vesh për bashkëqeverisje, kanë rënë dakord edhe për mënyrën se si do të bëheshin shkarkimet e ministrave.

“Emërimi dhe shkarkimi i anëtarëve të Qeverisë dhe i zyrtarëve/trupave që emërohen dhe shkarkohen nga Qeveria: Zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat i propozohen Kryeministrit nga Kryetari i subjektit politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicionit. Të njëjtit mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjetit politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i subjett politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicionit. E njëjta gjë vlen për të gjithë të emëruarit e tjerë nga Qeveria”, thuhet në marrëveshjen e LVV-së me LDK-në.

Ndërkaq, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka mbledhur sot kryesinë e partisë së tij ku pritet edhe të vendoset për fatin e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Po ashtu, vlen të theksohet se nënkryetari i dytë i LDK-së, Lufti Haziri është shprehur se: “Pa Agimin, nuk mund të ketë koalicion”.