Kurti shkruan për vdekjen e Sulejman Gashit, kujton se si e kishte shoqëruar në vizitën e parë në SHBA

12.09.2020 18:58:54

Për vdekjen e gazetarit Sulejman Gashi ka shkruar sot edhe kreu i VV-së, Albin Kurti.

Ky i fundit me anë të një postimi në Facebook, kujtoi se si Gashi e kishte shoqëruar në vizitën e tij të parë që e kishte bërë në SHBA.

“Më shoqëroi në të gjitha takimet dhe udhëtimet gjatë vizitës. Ishte shqiptari i parë që takova në ShBA kur shkova atje për herë të parë në fund të nëntorit 1997”, ka shkruar Kurti.

Kurti tha se Sulejman Gashi do të kujtohet për raportimet e tij të veçanta e cilësore, dhe se sipas tij, gazetarët e rinj duhet ta kenë shembull punën e tij.

Postimi i plotë:

Më shoqëroi në të gjitha takimet dhe udhëtimet gjatë vizitës. Ishte shqiptari i parë që takova në ShBA kur shkova atje për herë të parë në fund të nëntorit 1997. Dje ndërroi jetë gazetari Sulejman Gashi. Sulejmani ishte korrespodent i RTK-së në ShBA, i cili gjatë luftës e edhe më pas e mbajti të informuar tërë publikun shqiptar mbi padrejtësitë që i bëheshin popullit tonë dhe për zhvillimet e tjera politike që ishin me interes për kombin tonë. Profesionalizmi ishte mënyra e tij. Do të kujtohet për raportimet e tij të veçanta dhe cilësore. Kontributi dhe puna e Sulejmanit janë shembull për gazetarët e rinj. Ngushëllime familjes: Tones, Drilonit e Sarandës, Egzonit e Janinës. Ngushëllime bashkëpunëtorëve, shikuesve e lexuesve të Radiotelevizionit dhe gazetës “Illyria” për këtë humbje të madhe për të gjithë neve.