Kurti: Unë s’jam anti amerikan – e dua edhe BE-në, edhe SHBA-të

11.03.2020 17:00:57

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po pretendon se kanë ndodhur negociata të fshehta mes Kosovës e Serbisë.

Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se tani si kryeministër ka informacione më shumë për këto negociata që kanë ndodhur, shkruan lajmi.net.

“Është vet presidenti i Serbisë ai që e futi veten në këtë kurth në këtë mënyrë që të mos mund të dialogojë. Mirëpo, në atë kënd kishte një rrugë alternative, e që ishin  negocitatat sekrete që nuk janë ndalur asnjëherë. Unë si kryeministër i Kosovës kam shumë më shumë informacion tash, se kur isha lider i opozitës”, tha Kurti.

Kurti tha se ai nuk është anti-amerikan, por që është kundër anti-amerikanëve. E ani pse të gjitha kritikat nga SHBA-të dhe paralajmërimet ishin në drejtim të tij, ai tha se presidenti Thaçi po tregohet anti-evropian.

“Unë nuk jam anti-amerikan, jam kundër anti-amerikanëve. Por, presidenti është anti-evropian. Pikërisht në kohën kur presidenti deklarohet anti-evropian, dikush më akuzon mua për anti-amerikan. Unë i dua edhe BE-në edhe SHBA-të. Pa SHBA-të s’ka NATO dhe s’ka as siguri në Ballkan e lërë më në vendin tonë”, tha ai.

Kurti e la të kuptohet se e cilëson si servilitet nëse dëgjon kërkesat e SHBA-ve, për të cilën tha se është gabim të mendohet se nëse Kosova tregohet e tillë, të tjerët do ta dojnë më shumë.

“Me shumë mundësi SHBA-ve edhe jetën ua kemi borgj. Por dinjiteti vjen nga brenda e jo nga jashtë. Është gabim të mendojë ndokush se nëse jemi servile, atëherë dikush mund të na dojë më shumë”, tha Kurti.