Kurti: VV e përkrahë mocion për rrëzimin e Qeverisë

10.04.2018 14:00:11
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shprehur pro idesë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, si dhe ka thënë se ata mbështesin mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

Këtë ai e ka bërë të ditur me anë të një postimi në facebook, ndërsa ka përmendur disa nga arsyet që sipas tij, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Nenad Rikallo e Milan Radojçiq, shtimi enorm i posteve qeveritare dhe rritja e pagave vetvetes, diskreditimi i arsimit tonë nga BE-ja dhe rritja e papunësisë, Contour Global dhe ‘Demarkacioni’, e deri te dëbimi tinëz, në shkelje të ligjit e të drejtave të njeriut i 6 shtetasve turq, përgjegjësinë për të cilin nuk po e merr asnjë institucion i Kosovës, janë vetëm disa prej arsyeve pse kjo qeveri e shtrenjtë duhet të largohet”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se interpelancat për temat e ndryshme dhe Komisionet Hetimore Parlamentare që kemi iniciuar janë dëshmi e opozitarizmit tonë dhe dëmeve të kësaj qeverie që duhet të shkojë.

“LV është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë. Shumica dërrmuese e popullit dhe shumica e deputetëve të Kuvendit janë në opozitë me këtë qeveri. Mbetja e kësaj qeverie në pushtet është dhunim i demokracisë qytetare e parlamentare, i vullnetit të popullit e i interesit të përgjithshëm”, ka shkruar Kurti.

Zgjedhje të jashtëzakonshme është duke kërkuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka propozuar që paritë politike të dakordohen për një datë të zgjedhjeve, në të kundërtën ka thënë se do nisin proceduarat për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.