Kusari-Lila: Lajmi i rremë për marrëveshjen PAN-AKR, ka qëllim krijimin e hutisë

28.08.2017 20:33:09

Gjatë ditës së sotme, përkrah sulmit ndaj bashkëshortes së Blerand Stavileci, në orët e pasditës, ka qarkulluar edhe lajmi për arritjen e marrëveshjes ndërmjet koalicionit PAN dhe AKR-së.

Udhëheqësja e ‘Alternativës’, pjesë e koalicioinit LAA, Mimoza Kusari-Lila tha se mendon që ky është një lajm i rremë.

“Unë personalisht sot kam qenë në kontakt me zotin Pacolli, ai gjendet në Zvicër. Nëse i gjithë PAN-i ka shkuar në Zvicër te zoti Pacolli ka mundur të arrihet marrëveshja… Është lajm i cili prezantohet në media për të krijuar huti apo për të mbajtur gjallë këtë stresin që po krijohet në opinion, se PAN-i ka shanse të formojë Qeverinë”, tha Kusari-Lila, për RTV21.

Ajo gjithashtu e konsideron jo serioze deklaratën e kandidatit të PAN, Ramush Haradinaj se deri në fund të javë mund të ketë seancë.

“Shumica e udhëheqësve politik dhe deputetëve janë jashtë vendit ose kanë shkuar për pushime”, ka shtuar ajo.

Kusari-Lila ka treguar se është në kontakt me zv/presidentin e AKR-së Korab Sejdiun për të caktuar kohën dhe vendtakimin për tryezën e përbashkët midis LAA-së dhe Vetëvendosjes.