Kusari: SHBA-ja duhet të distancohet nga politikanët me aktakuza

18.05.2019 13:58:55

Qeveria e Kosovës po vazhdon të qëndrojë e heshtur kundrejt thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për largim nga pozita të zyrtarëve të lartë ndaj të cilëve ka të ngritura aktakuza. Zyrtarët qeveritarë nuk i kanë komentuar as sanksionet që Ambasada e SHBA-së i ka vendosur kundrejt këtyre personave. Analistët politikë në vend thonë se edhe ambasadat tjera duhet të veprojnë njësoj, duke izoluar tërësisht politikanët e korruptuar.

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, duke folur për “Zërin” është shprehur se vendimi i Ambasadës Amerikane në Kosovë është i drejtë, mirëpo ajo thekson se përveç kësaj Ambasada duhet të distancohet nga zyrtarët dhe politikanët që kanë aktakuza. “Kjo si masë e vetme nuk është e mjaftueshme, mendoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të distancohen edhe nga të njëjtit politikëbërës në Kosovë në raport të bashkëpunimit, për shkak se përderisa dje u bë publik ky lajm, kemi ministrin Besim Beqaj që është me aktakuzë dhe që gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duhet të ketë një konsistencë në politikëbërje, por edhe presion të drejtpërdrejtë në kuptimin pozitiv në të gjitha organet në Kosovë që rendi dhe ligji të funksionojnë”, ka thënë ajo.

Sipas deputetes opozitare, Qeveria aktuale nuk mund të gjejë zgjidhje për këtë çështje, sepse qeveritarët brengosen vetëm për përfitime, përderisa përgjegjësitë nuk i marrin fare seriozisht. “E vetmja zgjidhje nuk qëndron më në duart e kësaj qeverie, por qëndron tek opozita dhe te të gjitha forcat tjera, të cilat duhet sa më parë ta rrëzojnë këtë qeveri dhe ta pamundësojnë keqpërdorimin e shtetit e të parasë publike në masë enorme. Kësaj qeverie duket qartë që më nuk i bën përshtypje asnjë deklaratë dhe asnjë sanksion i asnjë institucioni tjetër për sa kohë kanë qasje në buxhet dhe përfitime që ua ofron qeverisja”, ka deklaruar ajo.

Në anën tjetër deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu, duke folur për krimin e organizuar dhe korrupsionin e profilit të lartë, ka theksuar se Qeveria aktuale, por edhe qeveritë në të kaluarën nuk kanë vullnet të luftojnë këtë dukuri, madje ata po kontribuojnë që korrupsioni të rritet edhe më tej.