Kush deshi ta vriste Azem Vllasin?

13.03.2017 11:32:02

 

Nga Rexhep Kastrati

Azem Vllasi sot ishte cak i një atentati, me ç’rast atentatori synonte që ta vriste atë. Përshkrimi i gjertanishëm e paraqet këtë rast një aksion të planifikuar dhe të paramenduar mirë, prandaj edhe vë në dyshim versionin që po qarkullon se këtë atentat e ka kryer një palë të cilën Azem Vllasi nuk kishte dashur ta përfaqësonte në nodnjë çështje ligjore. Edhe pse ky version nuk mund të hidhet poshtë a priori, megjithatë të thuash se një palë që nuk ka ptanuar ta përgaqësonte një avokat, të dilte dhe ta vriste, është pak e çuditshme dhe absurde, sepse ka edhe avoketë të tjerë që mund ta bënin këtë punë. Prandaj, ajo që mbetet më e besueshme është mundësia që atentati ndaj Azem Vllasit të jetë kryer nga agjentura të ndryshme kundërshqiptare, me qëllim të eliminimit politik të tij, si dhe për të hapur siparin e likuidimeve politike që mund të pasojë me vrasje të tjera politike.

Azem Vllasi ka qenë një ndër politikanët më të rëndësishëm të kohës së viteve ’80 të shekullit të kaluar, dhe në fund të atyre viteve, bashkë me Koçusha Jasharin kanë qenë udhëheqësit kryesorë të Kosovës, e që u janë vënë kundër synimeve të Serbisë për heqjen e statusit politik të Kosovës në bazë të kushtetutës së Kosovës. Azem Vllasi ka qenë në mbështetje të kërkesave të minatorëve që ishin ngujuar në zgafellë të “Trepçës” që kundërshtonin ndryshimet kushtetuese, kurse më 30 tetor 1989 kishe filluar një proces gjyqësor nga ana e Serbisë kundër tij dhe drejtuesve të lartë të kombinatit “Trepça”, në krye me Lazër Krasniqin, Burhan Kavaja etj.

Azem Vllasi ka qenë i pranishëm në debatet e ndryshme publike, dhe ka shfaqur edhe në mënyrë autoriale pikëpamjet e tij për çështje të ndryshme të rëndësisë publike, shoqërore, shtetërore dhe kombëtare.

Së fundmi, Azem Vllasi ka pasur një konflikt publik verbal me një gazetar serb për çështje të aktualitetit politik në Kosovë, për çështjen e ushtrisë dhe për çështjen e armëve.

Duke pritur që operacioni të kalojë suksesshëm dhe sa më shpejt të kthehet në jetën aktive profesionale, shpresoj që të zbardhen sa më shpejt motivet e vërteta të këtij atentati, dhe të ndërmerren të gjitha masat që të parandalohen akte të tilla kriminale.

Duhet të kemi parasysh se kemi hyrë në një fazë përmbyllëse të ciklit të fundit të strukturave mafiozo-politike në Kosovë, kur edhe pritet të ballafaqohen me pasojat e veprimeve të tyre, gjë që rrit shumë mundësitë që të rikthehen vrasjet politike si mënyrë për destabilizimin e Kosovës, prandaj duhet një vëmendje shtesë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë për të parandaluar situata kriminale, dhe ta bëjnë më të lehtë edhe fundin e krimit të organizuar.