Kush e kishte kujdestarinë natën kur u prish Teatri? Çfarë deklaroi Kryemadhi

17.05.2020 18:28:32

Prishja e Teatrit Kombëtar gjeti të papërgatitur opozitën, e cila kishte deklaruar se nuk do të lejojnte fadromat që të kryenin këtë akt. Por në ora katër mëngjesit orë kur nisën fadromat shembjen,  nuk ishin mbështetësit e simpatizantët e partive të opozitare.

Partitë e opozitës e kishin vendosur me rotacion që të bënin dezhurnin për mbrojtjen e teatrit. Por në atë orar ishin të pakët ose mungonin. Kjo çështje ka shkaktuar debate në mbledhjen e aleatëve të zhvilluar në selinë e PD-së, në ora 12:00 pas prishjes së godinës.

Ka qenë pikërisht kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, e cila në përgjigje të gazetarëve ka deklaruar se “në mbledhjen e aleatëve është diskutuar pikërisht për këtë çështje”.

“LSI, unë isha të premten, kishte dezhurnin LSI. Ditën e shtunë kush e kishte dezhurnin? Pyesni këta të aleancës të shoqërisë civile”, deklaroi Kryemadhi.

Ndërsa Basha, i cili iu bashkua me vonë gjatë pasdites në rrugën e Myslym Shyrit së bashku me Kryemadhin, shmangu pyetjet e gazetarëve se kush e kishte dezhurnin të shtunën, në natën kur policia shembi Teatrin. “Nuk ka rëndësi kush e kishte dezhurnin, atë e kishte e gjithë opozita”, tha kryedemokrati.