Kuvend, Rama nesër interpelancë pas kërkesës së 7 deputetëve

21.12.2016 13:38:08

Pas kërkesës së 7 deputetëve, Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur që kryeministri Rama të zhvillojë një interpelancë për disa çështje kryesore, mes të cilave është integrimi i vendit.

Dekreti i Presidentit për menaxhimin e integruar të mbetjeve nuk do të jetë në rendin e ditës në seancën e fundit parlamentare për vitin 2016.

Në rendin e ditës për punimet e datës 22 dhjetor të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit thuhet se “vijon puna në komisione parlamentare për projektiligjet që ishin parashikuara në kalendarin për tu miratuar në seancën plenare të 22 dhjetorit”, ku mes këtyre projektligjeve është edhe dekreti i Presidentit.

Në rend dite janë 20 pika për diskutim, ku më kryesorja është ajo e interpelancës urgjente me kryeministrin Edi Rama, kërkuar nga shtatë deputetë të Kuvendit të cilët shprehën shqetësimin për shtyrjen me afat të pa njohur të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Një tjetër projektligj i cili pritet të miratohet në këtë seancë është edhe ajo për amnistinë për të burgosurit.