Kuvendi filloi debatin për shkarkimin e Zvërlevskit

12.07.2017 13:17:37

 ”Kur bëhet fjalë për prokurorin publik shtetëror Marko Zvërlevski të gjitha këto kushte janë përmbushur për shkarkimin e tij”, tha Ristovski

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në vazhdimin e mbledhjes së gjashtë e filloi debatin për Propozimin për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit, Marko Zvërlevskit, për çka janë paraqitur mbi 80 deputetë.

Menjëherë pas fjalimit të zëvendësministrit të Drejtësisë, Oliver Ristovski, kryetari i Kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi dha një orë pauzë me kërkesë të deputetit të VMRO-DPMNE-së dhe koordinatorit të njërit prej grupeve të deputetëve, Dragan Danev.

Propozimi që Zvërlevski të shkarkohet nga funksioni i prokurorit publik shtetëror është parashtruar nga Qeveria e RM-së për shkak të, siç theksoi Ristovski, ushtrimit të funksionit në mënyrë të paligjshme dhe me profesionalizëm të pamjaftueshëm.

“Për fat të keq Prokurorinë Publike Shtetërore prej janarit të vitit 2013 e deri më sot e përfaqësonte personi i cili për tërë mandatin e vet të deritanishëm e kryente detyrën e vet në mënyrë të pandërgjegjshme dhe joprofesionale dhe nuk e respektonte ligjin me konsekuencë”, tha Ristovski.

Zvërlevski, siç theksoi Ristovski, në vend që të kujdeset për të drejtat dhe liritë e njeriut e përfaqësonte Prokurorinë Publike me heshtje dhe mosndërmarrje të kurrfarë veprimeve kundër krimit.

“Kërkesa është parashtruar në pajtim me Ligjin për Prokurorinë Publike, sipas të cilit Qeveria mund të kërkojë nga Kuvendi shkarkim të prokurorit publik nga funksioni i tij para skadimit të mandatit, për shkak të kryerjes së paligjshme, të pasaktë dhe të pamjaftueshme profesionale të funksionit, nëse me sjelljen dhe veprimin e vet tregon se nuk është i aftë ta kryejë funksionin, nëse nuk parashtron kërkesë për ngritje të procedurës penale për raste të parapara me ligj dhe për shkak të prishjes së imazhit të funksionit”, theksoi zëvendësministri i Drejtësisë.

Mjafton edhe një prej këtyre kushteve, siç tha, që të ngritet procedurë për shkarkim. “Qeveria e Republikës së Maqedonisë konsideron se kur bëhet fjalë për prokurorin publik shtetëror Marko Zvërlevski të gjitha këto kushte janë përmbushur për shkarkimin e tij”, nënvizoi Ristovski.

Ai përmendi disa raste në të cilat prokurori publik Zvërlevski ishte drejtpërdrejtë i involvuar në kuptimin negativ të fjalës me mosveprimin e tij apo veprimin në kundërshtim me ligjin.

Propozimi qeveritar për shkarkim të Zvërlevskit ishte pranuar nga Këshilli i prokurorëve publik dhe më pas i është parashtruar Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.