Kuvendi i Komunës miratoi disa vendime

28.12.2016 16:51:10

Në mbledhjen e fundit për vitin 2016, Kuvendi Komunës së Podujevës ka miratuar Planin e integritetit, Statutin e Teatrit të Qytetit “Avdush Hasani”, Rregulloren për procedurat e themelimit dhe funksionimit të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal dhe disa vendime të tjera me rëndësi.

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e kryesoi Mehmet Gashi, ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtorët e ekzekutivit të Komunës.

Lidhur me pikën e parë të rendit të ditës, drejtori për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, ka njoftuar këshilltarët e Kuvendit me përmbajtjen e propozimit të Planit të integritetit.

Pas diskutimeve lidhur me këtë çështje, Kuvendi me shumicë votash miratoi Planin e integritetit.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, ka prezantuar propozimin e Planit lokal për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Podujevës për periudhën 2017 – 2022.
Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës Kuvendi mori vendim për miratim dhe vënien në diskutim publik të Planit lokal për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Podujevës për periudhën 2017 – 2022.

Kuvendi ka shqyrtuar edhe propozimin e Rregullores për procedurat e themelimit dhe funksionimit të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Komunën e Podujevës. Lidhur me këtë çështje Mrika Thaçi – drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, prezantoi edhe raportin dhe propozimet e paraqitura në diskutimin publik.
Pas diskutimeve lidhur me këtë çështje Kuvendi me shumicë votash miratoi Rregulloren për procedurat e themelimit dhe funksionimit të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Komunën e Podujevës.

Kuvendi gjithashtu miratoi Statutin e Teatrit të Qytetit “Avdush Hasani” në Podujevë.
Në mbledhjen e sotme Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi vendimin për vënie në diskutim publik të propozim Rregullores për taksa, tarifa dhe gjoba komunale

Kuvendi miratoi edhe vendimin për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme në pronësi të Komunës, Qendrës për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve në fshatin Sfeçël.

U miratua edhe Plani i punës të Kuvendit të Komunës së Podujevës për vitin 2017.

Podujevë, 28. 12. 2016
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim