Kuvendi i Kosovës kalon në lexim të parë ndryshimet për heqje të homologimit

17.06.2021 16:54:34

Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim për heqjen e homologimit për veturat që importohen nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Norvegjia.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka thënë të enjten përmes një postimi në rrjetin social Facebook se brenda ditësh pritet që projektligji të votohet edhe në leximin e dytë dhe më pas të hyjnë në fuqi ndryshimet në Ligjin për automjete.

“Më në fund, po hiqet kjo barrë e panevojshme për qytetarët”, ka thënë mes tjerash Murati.

Nëse ndryshimet miratohen edhe në leximin e dytë, qytetarët të cilët dërgojnë vetura në Kosovë përmes procedurave të rregullta doganore, nuk do të kenë nevojë për pagesë shtesë për homologim.

Homologimi është procedurë me të cilën vërtetohet përputhshmëria apo përshtatshmëria e pjesëve të veçanta të automjetit si tërësi, bazuar në kriteret, të cilat parashtrohen nga organet kompetente.

Vetëm vitin e kaluar, sipas Doganës së Kosovës, janë importuar mbi 22 mijë vetura në Kosovë.

Nga to, mbi 19 mijë vetura kanë qenë të përdorura dhe mbi 3,000 të reja.

Sipas llogaritjeve, i bie se mbi 2.7 milionë euro është paguar për homologim.

Në vitin 2019, në Kosovë kanë hyrë mbi 26 mijë vetura.