Kuvendi i Shqipërisë: Albulena Haxhiu, Armend Zemaj… flamuri i Kosovës

05.12.2016 23:33:55

Një delegacion nga Komisioni Parlamentar për Legjislacionin, Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu kanë qenë për vizitë te nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj.

Nënkryetarja Leskaj nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës. Në këtë kuadër, Leskaj shprehu gatishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë për të thelluar marrëdhëniet në të gjitha nivelet përfshirë ato mes komisioneve parlamentare si dhe në plotësimin e aspiratave të përbashkëta për integrimin Euro-Atlantik, thuhet në njoftimin për media nga Kuvendi i Shqipërisë.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës falënderoi nënkryetaren e Kuvendit për për mbështetjen që Leskaj i ka dhënë Kosovës në Këshillin e Evropës.

Gjithashtu, delegacioni parlamentar nga Kosova vuri theksin në nevojën e bashkëpunimit parlamentar për reformën në Drejtësi.

“Leskaj theksoi se bashkëpunimi në fushën e reformës në drejtësi është i një rëndësie madhore, pasi reforma në drejtësi është jetike për një shtet të së drejtës, demokracisë funksionale dhe luftës ndaj korrupsionit e krimit të çdo lloji”, thuhet në njoftim.

Sa i takon bashkëpunimit në kuadër të Këshillit të Evropës, nënkryetarja e Kuvendit u shpreh se bashkëpunimi mes dy delegacioneve është i shkëlqyer dhe siguroi se në cilësinë e saj, si kryetare e delegacionit të Shqipërisë në KiE por edhe si Nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës do të vazhdojë me të njëjtën frymë bashkëpunimi, ashtu si dhe në Organizata të tjera si SEECP.

Në përfundim, Leskaj theksoi se bashkëpunimi mes dy parlamenteve duhet të jetë jo vetëm formal por të ketë një agjendë dhe bashkëpunimi më të strukturuar në të gjitha fushatat, koordinim të diplomacisë parlamentare dhe mbledhje të përbashkëta të komisioneve parlamentare.

Në fotografinë e publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, shihet se si deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu është ulur pran deputetit të LDK-së, Armend Zemaj edhe pse me këtë të fundit kanë pasur përplasje të mëdha që një kohë të gjatë.

Po ashtu, zonja Haxhiu shihet sikur e shikon flamurin e Republikës së Kosovës i vendosur në tavolinë pranë flamurit të Shqipërisë. Si duket, jashtë Kosovës, flamuri shtetëror nuk ju pengon deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.