Kuvendi i vonuar me agjendën legjislative (Video)

16.04.2017 12:00:05

Me katër muaj vonesë, Kuvendi i Kosovës pritet që këtë të martë ta shqyrtojë dhe miratojë agjendën legjislative për vitin 2017, të cilën është dashur ta miratojë në fillim të vitit.

Monitoruesit e punës së Kuvendit e quajnë qasje jo serioze dhe mos efikasitet të legjislativit, vonesat e mosmiratimit të agjendës legjislative. Derisa deputetët e pozitës dhe opozitës e pranojnë se janë vonuar dhe se Kuvendi nuk po mund ta përmbush planin e paraparë.

Jo efikas, organi më i lartë ligjvënës u tregua edhe vitin e kaluar, pasi kishte përmbushur vetëm një të tretën e agjendës legjislative, ani pse nuk e kishte të miratuar një të tillë.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj e pranon se janë të vonuar në shqyrtimin dhe miratimin e agjendës legjislative, por thotë se efektiviteti i punës së Kuvendit nuk varet edhe aq shumë nga miratimi i agjendës, ndonëse është obligim me rregulloren e punës së Kuvendit.

Deputeti i LDK-së, thekson se ka krijuar keqkuptime kërkesa për numra, meqë sipas tij, efektiviteti dhe impakti i ligjeve në shoqëri duhet të shikohet.

Vetëkritikë janë edhe deputetët e opozitës. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë se ka kohë që deputetët po tregohen të papërgjegjshëm karshi detyrave të tyre.

Ajo thekson se sikurse vitin e kaluar që nuk ka arritur ta përmbush agjendën legjislative, as këtë vit, Kuvendi nuk pritet ta bëjë një gjë të tillë, duke pasur parasysh ndërprerjen e shpeshtë të seancave për mungesë kuorumi.

Madje, në këtë agjendë legjislative, 90 për qind e ligjeve janë në plotësim ndryshim. E këtë fakt, deputetja Haxhiu thotë se ata si grup e kundërshtojnë, pasi kjo dëshmon se ligjet nuk po hartohen mirë dhe nuk po mbikëqyren në zbatim.

Shoqëria civile thotë se kjo legjislaturë secilin vit po shkon duke humbur performancën në miratimin e ligjit, çka do të ndikojë në fund të vitit me arritjen e përmbushjes së agjendës legjislative.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës që bënë monitorimin e punës së Kuvendit, thotë për KosovaPress, se Kuvendi është vonuar në miratimin e agjendës legjislative, meqë kjo është dashur të bëhet në janar.

Sipas tij, Qeveria në këtë aspekt është më e saktë  sa Kuvendi, pavarësisht se Kuvendi varet shumë nga ligjet që dërgon Qeveria, meqë deputet nuk marrin iniciativa që vet si legjislativ të hartojnë projektligje.

Krasniqi thotë se mos efikas Kuvendi ishte edhe në vitin e kaluar, pasi nuk kishte arritur të përmbushte as gjysmën e agjendës legjislative, ani se një të tillë nuk e kishte miratuar fare.

“Miratimi i një plani të punës nga ana e Kuvendit është një obligim që duhet të kryhet me anë të rregullores së Kuvendit dhe vlen të theksohet se vitin e kaluar Kuvendi nuk ka miratuar fare një plan të punës, por kanë qenë vetëm komisionet parlamentare ato që kanë pasur një plan, Kjo na bën të konkludojmë se Kuvendi ka kryer punë pa një planifikim të mirë dhe kjo ka rezultuar me një përmbushje shumë të dobët edhe të planeve të komisioneve parlamentare. Nga ajo që ne kemi bërë vlerësimin ka dalë që rreth 1/3 e planit është përmbushur në vitin e kaluar”, theksoi Krasniqi për Kosovapress.

Sipas Krasniqit, një pikë ku duhet të fokusohet Kuvendi më shumë është padyshim mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve, pasi projektligjet që shkojnë për plotësim ndryshim është si rezultat nuk kanë një shqyrtim të mirë, të detajuar nga deputetët dhe si rrjedhojë e kësaj dalin ligje të dobëta që duhet të plotësohen dhe ndryshohen vazhdimisht.