Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme për Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

04.12.2020 10:02:03

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në orën 11:00 në një seancë të jashtëzakonshme, iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës, për çështjen e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

E vetmja pikë e rendit të ditës do jetë, ”Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Seanca e së premtes, është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës e cila ka propozuar disa amandamente për këtë projektligj.

Në to, përfshihen 200 milionë euro për bizneset, kompensim i parave të trustit për të gjithë personat që kanë deri në 10 mijë euro kursime dhe 300 euro për të gjithë ata që e kanë humbur punën gjatë pandemisë.

Kosova tash e nëntë muaj ballafaqim me pandeminë nuk ka arritur ta votojë Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike ndonëse i njëjti u soll shtatë herë në Kuvend për votim.