Ky është numri i të angazhuarve me kontrata mbi vepër në Komunën e Prishtinës (Dokument)

09.05.2018 13:39:07
Komuna e Prishtinës ka bërë publik numrin e punëtorëve të angazhuar me kontrata për shërbime të veçanta (kontrata mbi vepër).

Kryesisht militant të Lëvizjes Vetëvendosje e përkrahës të kryetarit Shpend Ahmeti, janë punësuar në Komunën e Prishtinës brenda katër viteve. Punësimi masiv, ishte bërë nëpërmjet kontratave për shërbime të veçanta, që sipas Auditorit Gjeneral ishte bërë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Sipas Raportit financiar të Komunës së Prishtinës për periudhën  1 -Janar, 31 -mars 2018, të cilin e posedon lajmi.net, aktualisht numri i të punësuarve më kontrata për shërbime të veçanta në Komunën e Prishtinës është 82.

Ky numër i cili është paraqitur si i tërësishëm për këto lloje të kontratave, sipas të dhënave komunale përfshihen Drejtoria e Administratës me gjithsej 34 zyrtarë, e Arsimit me 45 dhe e Shëndetësisë më 3 punonjës.

Në fund të vitit 2017, po sipas të dhënave komunale numri i përgjithshëm për punëtorët me kontrata për shërbimet e veçanta, të cili ishin të punësuar vetëm në këto tri drejtori ishte 157. Në vitin 2016 ishte 173.

Por, Komuna e Prishtinës, në këtë raport nuk ka dhënë të gjithë të angazhuarit me kontratë mbi vepër, të paktën jo për të gjithë ata që ishin të angazhuar në vitin 2016

“Sipas regjistrit të pagesave, gjatë këtij viti janë angazhuar 210 zyrtarë me kontratë për shërbime të veçanta12 që paraqet një numër të reduktuar nga viti i kaluar (276). Me rastin e përzgjedhjes së këtyre individëve, nuk ishin zbatuar procedura të thjeshtësuara të rekrutimit”, thoshte Auditori Gjeneral në Raportin për Komunën e Prishtinës të viti 2016, derisa raporti për pasqyrat financiare për vitin 2017 pritet të publikohet pas pakë javëve, shkruan lajmi.net.

Ky punësim, sipas auditorit ishte bërë pa ndonjë procedurë të rekrutimit apo prokurimit dhe se punësimi i tyre është bërë në kundërshtim me nenin 31 dhe 35 të Rregullores për shpenzimin e parasë publike 01/2013, pasi që nuk ka dëshmi se komuna ka plotësuar formularin i cili specifikon se është zhvilluar testi i marrëdhënies së punës dhe dëshmi mbi përzgjedhjen e tyre sipas procedurave të zakonshme të prokurimit.