La Liga, tjetër ndalesë për Sevillan, fiton Atl. Madrid

11.03.2017 23:21:27

Tjetër gabim i Sevillas që regjistroi barazimin e dytë rradhazi në La Liga duke humbur gjithnjë e më shumë terren në garën për titull. Në Ramon Sanchez Pizjuan, formacioni i Jorge Sampaoli-it nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 përballë Leganes. Me mendjen te sfida e kthimit e ruandit të 1/8-ave të Championsit ndaj Leicester-it, andaluzianët dështuan të fitonin përballë një kundërshtari modest dhe tashmë ëndrra titull po venitet pak nga pak për Sevillan.  Befasia erdhi që në fillim me brazilianin Gabriel që pas vetëm 3 minutash lojë ndëshkoi vendasit, teksa i asistuar nga El Zhar mposhti portierin Sergio Rico. Por në fundin e pjesës së parë Sevilla barazoi rezultatin për meritë të blerjes së bujshme të Janarit Stevan Jovetic. Sulmuesi malazez me një aksion personal realizoi golin e tij të 3-të në La Liga për ti dhënë një pikë Sevillas.

Me shumë vështirësi por në fund arriti të merrte një trepikësh me shumë vlera Atletico e Madridit që rivalizon me Sociedadin për vendin e 4-t. Los Colchoneros iu falën lojtarit të tyre më të mirë, francezit Antoine Griezmann për të kaluar me shifrat 0-1, Grandën në transfertë. Golin e fitores Griezmann e realizoi me një goditje të saktë me kokë në minutën e 84-t pas një krosimi të Kokes.