Lajçi: Ramush, merre Behgjet Pacollin si mendje, jo si numër e lodër zbukurimi

19.08.2017 21:39:53

Aktori Çun Lajçi, shpesh ka komentuar çështjet politike në vend, shpesh edhe duke jap sugjerime se si të dilet nga ajo situatë që politika gjendej jo rrallë herë.

Këtë herë Lajçi ka shkruar një letër për Behgjet Pacollin dhe Ramush Haradinaj duke i këshilluar se duhet të bashkohen për të mirë të Kosovës.

“Mos i dëgjo ç’thonë dhe merre Behgjet Pacollin si mendje, jo si numër e lodër zbukurimi siç bani dikur Thaçi, sepse Kosovës I duhën njerëz që ndërtojnë, ndihmojnë e punësojnë sa s’asht zbraz nga rinia, se pastaj mbetemi si Shumadia në pleq e plaka”, ka shkruar ai në Facebook.

 

Shkrimi i plotë:

Letër për Behgjetin e Ramushin…

Po filloj më skenën e fundit të ‘’Karvani i Bardhë’’ i Azem Shkrelit ‘’Gjithçka të mundeni shkarkojani vetës e ngarkomani mua. Dyli e mali durojnë t’bamet e t’pa bamet’’

Andaj shamjet që do t’iu vijnë, m’i ngarkoni mua e letrës që po e shkruaj, sepse ka shumë ditë që lakoj emnat tuaj e dua t’them shumëçka e t’mos ju randoj, por as t’iu mesoj nuk dua, e të hesht nuk mundem.

Ramush,

I pari t’thash “më dëshpërove gjeneral i Dukagjinit’’ dhe pata të drejtë, sepse ishte hap i gabueshëm kualicioni me Pronton, por Jo edhe që t’anatemohesh kaq shumë, dhe i pari që po të them: Nëse don qeveri, merr ngat vetës shqiptarë që dijnë e që kanë e që nuk vjedhin. Bahu si Marash Uci e djemtë e Calit:’’Ju kamë e zemër, unë sy e vesh’’. Mos i dëgjo ç’thonë dhe merre Behgjet Pacollin si mendje, jo si numër e lodër zbukurimi siç bani dikur Thaçi, sepse Kosovës I duhën njerëz që ndërtojnë, ndihmojnë e punësojnë sa s’asht zbraz nga rinia, se pastaj mbetemi si Shumadia në pleq e plaka.

Na duhet Behgjeti neve, jo Ne Atij, sepse Ai ka gjithçka, por shpirti i tij s’mund të jetë i qetë dhe i lumtun nëse Kosova asht e smutë. Ai që dijti me ia hap vetës dyert anë e kand botës, ai din qysh me ia hap dyert edhe Kosovës o gjeneral.

Dhe krejt n’fund

Behgjet,

Mos i ndëgjo ata që s’patën kurrë zemër për Dheun e Atdheun e as per skamnorin. Ata ishin e mbetën strofull për vezë qyqësh e helm gjarpinjësh. Kosovës I duhen njerëz me vizion pune e ndërtimi, si Ju, njerëz që na e zbukurojnë Atdheun dhe e punësojnë rininë, sepse nuk jetohet rrugash e kontenjerash me qese plastike dhe nuk mund të jemi gjithmonë furnizues i fuqisë punëtore për ‘baushtellat’ e Europës.

Mos të brengosin gojëkëqinjtë, ata që se duan as vetvetën as shtetin. Sepse ne, gjithçka pranojmë pos vlerës së vërtetë.

Ti je ajo që i duhësh Kosovës o Behgjet Pacolli, prandaj sakrifikoje luksin e rehatinë familiare e bahu bashkë me gjeneralin që t’ecim para se boll vuajtem e boll qajtëm e pak dritë pamë. As ti Behgjet, as gjenerali dhe as Kosova nuk ka kohë me humb e as me u korit.