Lajm i madh nga Britania: Rezultatet e vaksinës kundër Covid-19 të testuar në njerëz do dalin muajin tjetër

14.05.2020 15:15:43

Shpresat u ngritën për një vaksinë efektive të koronavirusit sot pasi një ekspert zbuloi se rezultatet mbi testimet njerëzore mund të ishin të disponueshme brenda një muaji.

Profesori Sir John Bell, profesor i mjekësisë në Universitetin e Oksfordit, tha sot në mëngjes se ‘disa qindra’ njerëz janë vaksinuar tashmë me vaksinën e përgatitur nga vetë universiteti, shkruajnë mediet britanike

67-vjeçari i tha programit të BBC Radio 4 sot se sfida tani është prodhueshmëria në shkallë të gjerë, pasi dozat vaksinale të aprovohen nga rregullatorët.

“Ne jemi duke bërë llogaritje sepse kemi të dhëna mjaft të mira tani lidhur me sëmundjen,” tha Prof Bell.

Në fund të muajit të kaluar, një ekip studiuesish në Oksford filloi testimin e një vaksine Covid-19 në njerëz. Gjysma e këtyre do të marrin vaksinën kundër Covid-19 dhe gjysma tjetër – grupi i kontrollit – do të marrë një vaksinë për meningjitin, e cila është gjerësisht e disponueshme.

Një ekip i veçantë nga Kolegji Imperial në Londër do të fillojë gjithashtu të testojë dozat tek njerëzit në qershor.

Derisa vaksina e Oksfordit do të përpiqet të stimulojë sistemin imunitar duke përdorur një virus të zakonshëm të marrë nga majmunët, ekspertët nga Kolegji Imperial do të përdorin pika të lëngshme për të marrë materialin gjenetik që duhet për të hyrë në qarkullimin e gjakut.