Lazim Destani priti diplomatin e lartë amerikan, ambasadorin Zalmay Khalilzad

23.06.2017 16:32:24

Biznesmeni Lazim Destani ka pritur dje për vizitë në Tetovë ish-ambasadorin amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmay Khalilzad, i cili në këtë post ishte gjatë administratës së presidentit George W. Bush.

Diplomati i mirënjohur së bashku me bashkëshorten e tij erdhi në vizitë te miku i tyre filantropi Destani pas vizitës zyrtare që ai realizoi këto ditë në Kosovë, me ç’rast nga presidenti Thaçi është dekoruar me medaljen “Urdhri i Pavarësisë” për angazhimin dhe kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës.

Pas prezantimit dhe shpjegimeve që i janë dhënë ambasadorit lidhur me bizneset e familjes Destani, ai shprehu kënaqësinë e tij për kontributin që këto biznese japin në ngritjen e ekonomisë së vendit, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mundësitë e mira që i ofrohen rinisë këtu. Me rastin e kësaj vizite ambasadori Khalilzad deklaroi: “Unë çuditem, impresionohem dhe ju përgëzoj për sukseset e këtyre përmasave. Aq më shumë është mbresëlënës fakti që në fokus nuk janë vetëm përfitimet nga biznesi, por edhe mbështetja e vendit tuaj me investime dhe vepra bamirëse aq në numër”.

 

Z. Destani e përuroi me përzemërsi ambasadorin Khalilzad për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mbështetjen institucionale dhe personale për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe avancimin e çështjes së shqiptarëve në rajon.