LDK frikësohet se Qeveria mund të pranojë asociacionin, shoqëria civile kërkon konsensus për këtë temë

10.10.2021 11:22:10

Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet e frikësuar se Qeveria e Kosovës mund të pranojë themelimin e asociacionit të komunave serbe, sidomos pas marrëveshjes për targat dhe kërkesave të vazhdueshme nga BE-ja dhe Serbia për implementimin e marrëveshjes së vitit 2015.

Në partinë opozitare thonë se ekzekutivi po bënë hapa prapa në dialog dhe me këtë qasje po rrezikon krijimin e një entiteti serb me fuqi ekzekutive. Ndërkohë, nga shoqëria civile kërkojnë një konsensus nga mbarë spektri politik për krijimin e një pozicioni të qartë sa i përket asociacionin dhe alternativën e tij.

Lidhur me pretendimet e partisë së Lumir Abdixhikut, KosovaPress ka pyetur Qeverinë e Kosovës, mirëpo të njëjtin nuk kanë kthyer përgjigje. Të pa qasshëm kanë qenë edhe nga Bashkimi Evropian për agjendën e diskutimit të takimit të radhës të dialogut dhe tendencave nga pala serbe për hapjen e kësaj teme.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti thotë për KosovaPress se asociacioni me fuqi ekzekutive duhet të jetë i papranueshëm për Kosovën, por sipas tij me Qeverinë Kurti rrezikohet themelimi i tij.

“Kjo qeveri po bënë hapa prapa sepse thoshte se marrëveshjet e kaluara nuk janë të mira, do t’i rishqyrtonte, tash po i realizon dhe madje po bënë hapa prapa. Unë kam drojë se me këtë lloj qeverie të papërgjegjshme dhe pa zonjë në punët e jashtme mund të rrezikojmë një asociacion me fuqi ekzekutive. Gjithsesi është i pa pranueshëm dhe cenon rregullimin kushtetues të Kosovës dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thotë ai.

Pretendimet e opozitës se marrëveshja për targat është hap para drejt themelimit të asociacionit, njohësi i procesit të dialogut, Arbër Fetahu i sheh si të hershme, pasi sipas tij kërkesat e Serbisë dhe BE-së për implementimi e marrëveshjes për asociacionin nuk janë të reja.

“Sa i përket akuzave për themelimin e ndonjë asociacioni si derivat i marrëveshjes (për targat) nuk duam të paragjykojmë. Mendojmë se është ende herët dhe procesi dialogues po vazhdon dhe kërkesa për Asociacion nuk është e re, kjo kërkesë është tash e disa vite nga Serbia si palë kundër dialoguese, po ashtu shpesh herë në të kaluarën edhe Bashkimi Evropian ka përmendur si një marrëveshje që duhet të implementohet”, thotë Fetahu.