LDK: Qeveria u rrëzua nga hipokrizia dhe pabesia e PDK-së e Kadri Veselit

10.05.2017 19:45:15

Lidhja Demokratike e Kosovës u është drejtuar qytetarëve të Kosovës të tregojnë maturi dhe të jenë të qetë pas situatës së krijuar sot.

Përmes një komunikate për media, LDK thotë se Qeveria u rrëzua nga hipokrizia dhe pabesia e PDK-së së Kadri Veselit.

“Veprimi i sotëm edhe një herë e la pa asnjë maskë Kadri Veselin dhe bashkëpunëtorët e tij në PDK”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë e LDK-së:

Lidhja Demokratike e Kosovës fton qytetarët e Republikës së Kosovës që të jenë të qetë dhe të matur në situatën e krijuar pas vendimit të sotëm të Kuvendit të Kosovës, udhëhequr me hipokrizi dhe pabesi nga PDK-ja e Kadri Veselit.

Veprimi i sotëm edhe një herë e la pa asnjë maskë Kadri Veselin dhe bashkëpunëtorët e tij në PDK, të inkriminuar dhe me probleme të thella me ligjin dhe të cilët sot u bashkuan për t’i dhënë fund Qeverisë që e çliroi shtetin nga kapja e gjithanshme, që i këputi fijet e krimit dhe të korrupsionit.

Me këtë veprim, Marrëveshja e koalicionit bie në tërësi dhe LDK-ja nuk e njeh asnjë pikë të saj dhe asnjë rezultat politik të saj.

LDK-ja rithekson përkushtimin e saj për të luftuar deri në fund krimin dhe korrupsionin në vend, si parti e përgjegjshme, si partia kryesore në vend dhe si partia që e dëshmoi se si qeveriset me duar të pastra dhe se si punohet në dobi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Rrëzimi i Qeverisë së Kosovës nga “koalicioni i të inkriminuarve” rrezikon përfundimisht liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, proceset e tjera integruese euroatlantike, krijimin e Ushtrisë së Kosovës, anëtarësimin në Organizatat Ndërkombëtare, për të cilat, siç po shihet në vazhdimësi, nuk është aspak i interesuar lidershipi i PDK-së dhe individë të caktuar në partitë opozitare.

Lidhja Demokratike e Kosovës fton qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë përkrahjen e tyre për LDK-në, në mënyrë që në qeverisjen e ardhme, të udhëhequr nga LDK-ja, të përmbyllet përfundimisht kapja e shtetit nga krimi dhe korrupsioni.

LDK-ja, me mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët dinë t’i vlerësojnë punët e mira të LDK-së dhe përkushtimin e saj, bashkë me partnerët e saj do të jenë shumica e re në Kuvendin e Kosovës dhe do të vijojë të udhëheqë vendin në proceset jetike, ndërsa PDK-ja dhe aleatët e saj do të shikojnë nga atje, në “Fillimin e tyre të ri”.