LDK, Rifajt: Përzgjedhjen e Haraçisë për drejtor e bënë britanikët, jo Abrashi

12.11.2017 19:55:49

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një reagimi për media thotë se dëshiron të sqarojë opinionin në lidhje me shkrimin e sotëm për akuzat që një kandidat për postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit, Dëfrim Rifaj, ka bërë ndaj ish-ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashit.

 

Rifaj, sipas një artikulli të botuar nga agjencia e lajmeve Kosovapress, thotë se Abrashi – që tani është kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës – ka bërë shkelje ligjore në emërimin e ish-këshilltarit të tij, Drin Haraçia, në postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit.

“LDK-ja thotë se Abrashi nuk ka pasur asnjë rol në këtë proces, pasi i gjithë procesi i përzgjedhjes së drejtorit është bërë nga kompania britanike e kontraktuar nga institucionet e Kosovës, gjegjësisht nga kompania britanike BDO LLP në partneritet me kompaninë A&DC, e cila ishte angazhuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës në rekrutimin e kandidatëve për pozita të larta të institucioneve publike të Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së. “Drin Haraçia ka qenë shërbyes civil në MAPL. Ndërsa, në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit është përzgjedhur nga britanikët, dhe ka qenë kandidati më i suksesshëm në intervistim. Ndërkaq, Arban Abrashi nuk ka të bëjë fare me këtë emërim. Konkursi ka qenë publik dhe ka pas të drejtë të konkurrojë çdo kush”, thuhet tutje në sqarimin e Shtabit të kandidatit të LDK-së për Komunën e Prishtinës”.