Leh ti vëlla, leh!/ Vargje nga Beqir Skreli

19.03.2021 17:08:37
Leh ti vëlla, leh!
“I pasuri sundon të varfërin dhe borxhliu është skllavi i fajdexhiut.”
Ti nuk e beson këtë,
Se ti të kanë thënë që jeton në liri.
Por këtë nuk e them unë.
Mirë pra,
Beso atë që beson:
(Beso Biblën, Proverbat 22:7)
Unë them vetëm,
Që bota jeton në skllavëri,
Që bota ecën drejt skllavërisë.
Skllavëri nga shtete e supershtete,
Skllavëri nga banka,
Skllavëri nga individë.
Skllavëri!
Skllav për bukën e fëmijve.
Skllavëri me etiketë lirie.
Sa më shumë flitet për liri,
Aq më tinëzisht avitet skllavëria.
Liri për të lehur,
Si qeni që i leh hënës.
Leh ti vëlla, leh,
Po nesër do shkosh në punë,
(Po pate punë)
Që të paguash kredinë,
Që mos të të marrin shtëpinë,
Që të kesh fuqi të lehësh për lirinë.
Leh ti vëlla, leh!
Leh dhe vazhdo të marrësh borxh.
(Po të dhanë më)
Sidoqoftë, mos pusho së lehuri.
Se ti jeton në liri.