Leigh: Bashkimi Evropian nuk mbështet ndryshimin e kufijve të Kosovës

12.08.2018 12:51:59

Bashkimi Evropian nuk i ka ndryshuar politikat që mbështesin integritetin territorial të Kosovës, thotë Michael Leigh, ekspert për politikat evropiane.

Ai thotë në një intervistë për Deutsche Welle thotë se është e pamundur që BE të jetë pro ndryshimeve të status quosë territoriale.

“Ideja e njohjes së Kosovës në këmbim të përkatësisë territoriale nuk ka gjasa të përkrahet nga serbët dhe kosovarët ose të përkrahet nga pesë vendet anëtare të BE-së, që kanë refuzuar të njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë Leigh.

A është larguar Brukseli dhe Uashingtoni nga politikat e mëparshme që mbështesnin sovranitetin e Kosovës dhe intergritetin territorial?

Leigh: Do të ishte e gati e pamundur në Bashkimin Evropian të gjendej një konsensus në favor të ndryshimit të staus quo-së territoriale midis Serbisë dhe Kosovës. Ideja e njohjes së Kosovës në këmbim të përkatësisë territoriale nuk ka gjasa të përkrahet nga serbët dhe kosovarët ose të përkrahet nga pesë vendet anëtare të BE-së, që kanë refuzuar të njohin pavarësinë e Kosovës. Ndarja bazohet në kërkim të puritetit etnik dhe jo nevojës për të jetuar së bashku në një shoqëri multietnike. Kjo mënyrë për arritjen e gjërave ka pasur një histori tragjike në Ballkan dhe nuk përputhet me principet e BE-së. Shtetet anëtare do të jenë shumë vigjilente sa i përket rritjes së presioneve nga jashtë, duke pasur parasysh rolin në rritje të Rusisë dhe Kinës në Ballkan.

Organizata të shoqërisë civile nga Serbia dhe Kosova janë duke i kërkuar BE të bëjë një deklaratë të qartë kundër ndarjes së Kosovës ose këmbimit të territoreve. Çfarë ka ndër mend të bëjë Bashkimi Evropian?

Leigh: Mbetet të shihet nëse shtetet anëtare që janë tradicionalisht në favor të Serbisë do të ishin të gatshme të aprovonin një deklaratë të tillë.

Çfarë është paraparë nga vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, Spanja Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia? A do të çonte një marrëveshje për ndarjen automatikisht në njohjen e Kosovës?

Leigh: Kundërshtimet e pesë vendeve të BE-së, që nuk e njohin shkëputjen e Kosovës, janë të lidhura me dilemat politike që ata kanë në vendet e tyre dhe nuk kanë domosdoshmërisht si qëllim mbështetjen e Serbisë. Këto kundërshtime do të vazhdojnë të ekzistojnë për një periudhë të konsiderueshme edhe nëse arrihet ndonjë marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës.

Kush mund të garantojë se Kosova do të marrë një vend në Kombet e Bashkuara nëse arrihet ndonjë marrëveshje?

Leigh: Ky synim ka të ngjarë të mbetet një aspirate e papërmbushur në një të ardhme të afërt, megjithëse mund të krijohen forma të ndryshme bashkëpunimi. /DW/

Michael Leigh është ekspert për politikat evropiane në Fondin Marshall Gjerman. Fondi Marshall Gjerman i Shteteve të Bashkuara (GMF) është një organizatë joqeveritare e krijuar nga Gjermania për të kujtuar Planin Marshall. Organizata ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit ndëratlantik.