Lekaj e quan politike aktakuzën ndaj tij, thotë se nuk mund ta gjunjëzojnë

14.02.2017 16:16:02

Ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, që Prokuroria Special, ngriti aktakuzë kundër tij për keqpërdorim të autoritetit zyrtar, ka reaguar përmes një postimi në Facebook.

Lekaj e ka quajtur politike aktakuzën ndaj tij, duke e lidhur këtë me dinamikën e opozitës për t’i kundërshtuar proceset negative në vend, shkruan lajmi.net.

“Në këtë kohë kur Kosova po kalon nëpër sfida të mëdha, e opozitarizmi bashkë me qytetarët e Kosovës është si kurrë më parë kundërshtuese e të këqijave që po i kanosen Kosovës, dalin të tilla lajme denigruese, totalisht të ndikuara nga politika e lidhjeve të shkurtëra. Kjo tregon se kësaj qeverie i është ngushtuar rrethi dhe prandaj tani kanë filluar që në emër të drejtësisë të bëjnë “luftën e shtrigave”. Jam plotësisht i pastërt në të gjitha përgjegjësitë që i kam pasur dhe çdo herë kam qenë në shërbim të qytetarëve dhe të Kosovës. Unë nuk kam asgjë zyrtare dhe nuk dua të lëshohem në komentime me tutje, përveç që nuk do të mundet askush të na gjunjëzoj”, ka shkruar Lekaj në Facebook.