Pal Lekaj në një prononcim për Gazetën Express nuk ka treguar nëse kanë kërkuar mbështetjen e VV-së për shfuqizimin e Speciales.
Pal Lekaj, Ahmet Isufi e Memli Krasniqi kanë qenë nikoqir të një takimi para Vitit të Ri me shefin e grupit parlamentar të LVV’së, Glauk Konjufca. Takimi është mbajtur në njërin prej lokaleve në Prishtinë.
Kështu ka bërë me dije Ministri i Infrastrukturës nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj.
Ai ka thënë se në takim është biseduar rreth zhvillimeve të fundit në vend e po ashtu edhe në LVV pa specifikuar qartë se për çfarë është biseduar apo edhe a është marr ndonjë vendim.
“Për këto ditë nuk e di nëse ka pas takime. Por para vitit të ri jemi takuar unë, Ahmet Isufi e Glauk Konjufca me Memli Krasniqin”, ka thënë Lekaj për Express.
E ndërkohë është folur edhe për një takim tjetër të zyrtarëve të PAN me ish liderin e VV’së, Albin Kurtin.
Por, atë e ka mohuar vet Kurti pak para se të fillojë mbledhja e kryesisë së LVV-së, ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke mos specifikuar, ka thënë se do të diskutohet për gjërat brenda partisë për vitin 2018.
“Pikat e rendit të ditës janë për situatën politike, njëkohësisht edhe për çështjet organizative dhe përgatitjet e VV-së për vitin 2018”, ka thënë Kurti.
I pyetur nëse është takuar me PAN-in për Gjykatën Speciale, siç raportuan mediet sot, Kurti ka mohuar një gjë të tillë. “Absolutisht jo”, ka thënë shkurt Kurti.
Ndërkaq, mbledhja e sotme e kryesisë së LVV-së erdhi pas dorëheqjes së kryetarit Visar Ymeri nga të gjitha postet drejtuese të partisë, si dhe të Dardan Sejdiut.