Lekaj mundohet t’i ‘deshifrojë’ deklaratat e McCain dhe Grabriel për demarkacionin

13.04.2017 18:05:37
Senatori amerikan, John McCain dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, që është edhe zëvendëskancelar, kanë vizituar Kosovën dhe kanë pohuar se marrëveshja e Demarkacionit – të cilën po e kundërshton opozita, duhet të ratifikohet, por këto deklarime, sipas shefit të grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, nuk janë goditje për opozitën, përkundrazi.

Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pohoi në Info Magazine të Klan Kosovës se s’mund të fajësohet opozita, për dështime të qeverisë.

“Qeveria i ka 89 deputetë dhe të fajësohet opozita është e pakuptimtë dhe nuk ka logjikë”, tha Lekaj, njofton Klan Kosova.

“Miqtë tanë janë munduar që të japin mesazhe të qarta që shteti i Kosovës të forcohet. Por, ne nuk jemi në Kuvend që t’i japim dikujt tokë dhe ta copëtojmë Kosovën”.

“AAK-ja, duke kërkuar mirëkuptim edhe tek Gjermania edhe tek SHBA, kërkon që Kosova mos të ndahet dhe këtë e kërkojnë edhe miqtë tanë”.

“McCain nuk e tha patjetër që duhet të ratifikohet marrëveshja. Ndërsa ministri gjerman ishte më i qartë dhe na ka thënë edhe në Bundestag se marrëveshja për Demarkacionin duhet të kryhet. Por, opozita nuk është kundër demarkimit të kufijve, por për një demarkacion tjetër”.

“Prandaj deklaratat e ndërkombëtareve nuk janë goditje kundër opozitës. Për ngecjet e qeverisë duhet të marrë përgjegjësi pozita. Nga pozita nuk kanë qenë të zotët të procedojnë me demarkacionin”, ka thënë Lekaj.