Lekaj nënshkruan kontratën për fillimin e punimeve në autoudhën Prishtinë – Mitrovicë

27.04.2018 17:43:02

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka nënshkruar kontratën për fillimin e punimeve në autoudhën “Zahir Pajaziti – Hakif Zejnullahu – Edmond Hoxha”, Prishtinë – Mitrovicë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Lekaj ka thënë se kjo atoudhë është lënë pas dore dhe nën pluhurin e sirtarëve në Ministrinë e Infrastrukturës qe pesë vite.

“Ashtu siç jemi zotuar në ditën tonë të parë të punës së Qeverisë Hardinaj, Mitrovica nuk do të jetë më e harruar në projektet kapitale zhvillimore për vendin. Sot rruga, nesër Trepça e kështu do të vazhdohet deri në zhvillimin dhe integrimin e plotë të këtij qyteti dikur ndër me të rëndësishmit për ekonominë e Republikës së Kosovës.

Sot nënshkrova kontratën për fillimin e punimeve për Autoudhën “Zahir Pajaziti – Hakif Zejnullahu – Edmond Hoxha”, Prishtinë – Mitrovicë, e lënë pas dore dhe nën pluhurin e sirtarëve në Ministrinë e Infrastrukturës që pesë vite.

Segmenti i dytë kësaj autoudhë do të fillojë në maj të këtij viti dhe do të përfundojë brenda 24 muajve. Në ndërkohë ne vazhdojmë të punojmë pandalshëm për dy segmentet e mbetura, që poashtu financohen nga Fondet Arabe. Urime Mitrovicë dhe Vushtrri! Urime Kosovë!”, ka shkruar Lekaj në Facebook.