Lekaj: Po duan ta kalojnë demarkacionin, derisa Haradinaj është në Francë

13.02.2017 22:53:32
????????????????????????????????????

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, thotë se versioni aktual i demarkacionit me Malin e Zi është i vdekur dhe si i tillë nuk mund të ringjallet.

Lekaj, përmes një postimi në Facebook, i ka quajtur të kota kërkesat për votim të demarkacioni. “I bëj thirrje presidentit dhe kryeministrit qe të mos provojnë t’i bindin deputetët qoftë nëpërmjet shantazhit apo edhe joshjeve, sepse nuk ka deputetë në Kuvendin e Kosovës qe e ngritë dorën për t’i humbur mbi 8 mijë hektarë”, ka shkruar Lekaj, transmeton Telegrafi.

Lexojeni të plotë postimin e Lekajt:

“Demarkacioni është i vdekur dhe ai nuk mund të ringjallet

Versioni aktual i demarkacionit me Malin e Zi është i vdekur për neve në AAK, por edhe për qytetarët e vendit. Atë e kanë rrëzuar 205 mijë qytetarë nënshkrues të peticionit. Demarkacionin e kanë rrëzuar qytetarët nëpërmjet protestave më të mëdha të organizuara ndonjëherë pas luftës nga ana e partive opozitare.

Prandaj kërkesat për votim të demarkacionit janë të kota. I bëj thirrje presidentit dhe kryeministrit qe të mos provojnë t’i bindin deputetët qoftë nëpërmjet shantazhit apo edhe joshjeve, sepse nuk ka deputetë në Kuvendin e Kosovës qe e ngritë dorën për t’i humbur mbi 8 mijë hektarë.

Është e çuditshme se si pas ndalimit të liderit të AAK-së dhe ish kryeministrit Ramush Haradinaj në Francë ka një tendence qe të kalohet kjo temë, por përpjekjet e tyre janë të kota.

Kufiri duhet të kthehet në Kullë të Qakorrit dhe në Zhlep.

Marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi duhet të kthehet në pikën zero. Qeveria e ardhshme, duhet ta rinegocoj këtë marrëveshje. Nuk kemi tokë për të humbur” (sic.), ka shkruar Lekaj.