Lekaj: Qeveria ta respektojë rezolutën për Haradinajn, ndryshe do të ballafaqohet me presion të madh

09.03.2017 15:12:38

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë për Telegrafin se e përshëndet kalimin e rezolutës, në Kuvendin e Kosovës, për ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se i vjen mirë që rezoluta është votuar nga të gjitha grupet parlamentare, sepse Haradinaj sipas tij, është një figurë emblematike e vendit, një ish – kryeministër dhe luftëtar i lirisë.

“Me rëndësi që rezoluta ka kaluar, nuk na ka interesuar nëse dikush do të fitojë politikisht”, ka shtuar Lekaj.

Ai më tutje duke folur për eksperiencën jo të mirë të Kuvendit me zbatimin e rezolutave nga ana e Qeverisë, ka thënë se “besoj se Qeveria do ta respektojë pikën në të cilën thuhet se do të ndërpritet dhe pezullohet dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, deri në heqjen e fletëarresteve për Haradinajn dhe luftëtarët tjerë”.

“Nëse ndodh e kundërta, presioni jonë nuk do të ndalet, madje do të shtohet. Shpresojmë që si me rezolutën për murin, i cili u rrëzua pas rezolutës, njëjtë do të ndodhë edhe me rezolutën për Haradinajn”, ka thënë më tej Lekaj.

Sot në Kuvendin e Kosovës është votuar rezoluta për të parin e AAK-së, Ramush Haradinaj, në të cilën parashihet ndërprerja dhe pezullimi i dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit, derisa Serbia nuk e zhvleftëson fletëarrestin ndaj këtij të fundit.