Lezhë, Rama: Shqipëria ka nevojë për PS-në; PD e ngujuar nga frika

12.05.2017 21:34:31

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me votuesit e rinj në qytetin e Lezhës. Në fjalën e mbajtur Rama përmendi arritjet e qeverisë së tij, por nuk la pa sulmuar edhe opozitën.

Ai tha se është koha për tu ndarë nga politika e shpifjeve, duke ripërsëritur se Partia Demokratike fshihet në çadër nga frika e drejtësisë.

“Ata që sot janë ngujuar në atë bunker kanë një arsye të thjeshtë, nuk duan që ne të gjithë së bashku, populli mbarë pavarësisht bindjes politike në 18 qershor të pushojmë nga puna prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar.

Ata nuk duan që ky popull pas 27 vitesh nën thundrën e padrejtësisë të çlirohen nga kthetrat e prokurorëve që do të jenë të parët  që do përgjigjen përpara ligjit për padrejtësitë që kanë bërë.

Ata e dinë se duke bllokuar Vettingun nuk mund të shkojnë as te demokratët më të flakët për ti kërkuar votën, prandaj nuk duan zgjedhje sepse nuk duan drejtësinë. Ndërsa ne i duam zgjedhjet në 18 qershor për të vendosur drejtësinë.

Ne jemi në kushtet kur PD, që lindi si parti e shpresës ka vendosur që mos hyjë në zgjedhje dhe mundohet tu thotë shqiptarëve se këtu nuk mund të ketë zgjedhje pa PD. Në fakt e vërteta është ndryshe, diktatura ndalon partitë e tjera që të hyjnë në zgjedhje, kurse demokracia nuk i pengon partitë që mos hyjnë në zgjedhje.

Është vendimi tyre që t’i braktisin  vajzat, djemtë, gratë dhe burrat që janë mësuar të votojnë për PD dhe është dëshira dhe vullneti ynë që t’iu hapim krahët dhe t’i mirëpresim të gjithë demokratët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që njësoj se socialistët duan drejtësi, që njësoj si socialistët duan shtet që njësoj si socialistët duan punë, që njësoj si socialistët duan mirëqenie sepse ne jemi ndryshe”, deklaroi Rama.