Lidhja me kokainën e Durrësit, PD: Skemë mashtrimi kriminale, e ka Olsi Rama

22.05.2018 16:52:16

Kryeministri Edi Rama u pasua nga Taulant Balla në akuzat, që e lidhin sipas tyre fatin e Partisë Demokratike me atë të 613 kg kokainë të sekuestruar në Durrës. Por nga forca kryesore e opozitës e mohojnë kategorikisht të jetë e tyrja partia që mbështet narkotrafikun.

“Siç e dini PD nuk mbron kriminelët. Kokaina e Xibrakës dhe Maminasit, janë të Genci Xhixhës, Ermal Hoxhës dhe Olsi Ramës, dhe shokëve të tij. Edi Rama nëse secilin prej tyre i ke në PD, je i lutur të vish tani, sot dhe ti arrestosh. Por e vërteta është se ti vet i ke përcjell në Kube dhe kudo tjetër. I ke të lidhura me ministrat e Brendshëm dhe vëllain tënd”, tha deputeti i PD, Gent Strazimiri në një dalje për mediat duke e lënë “topin” e drogës në fushën e PS-së.

Strazimiri më tej tha se “për të mbrojtur veten dhe vëllezërit Xhafaj, Rama është vënë në krye të një skenari kriminal mashtrimesh, e kërcënimesh, kundër çdo denoncuesi”. Ai ftoi shqiptarët që të bashkohen këtë të shtunë në protestën e thirrur nga PD për të larguar qeverinë e lidhur me krimin dhe drogën.

“Njësoj si me ekspertizën e zërit të Agron Xhafajt, Rama hodhi mashtrimin e radhës për kokainën në Maminas.  Ka vetëm një rrugë për të hapur negociatat, lufta kundër drogës. Shqipëria nuk mund të sakrifikohet me vëllezërit Xhafajt. Ftojmë shqiptarët që të bashkohen të shtunë në protestën, për Shqipërinë si gjithë Europën”, deklaroi Strazimiri.