Limaj: Platforma e dialogut nesër dorëzohet te liderët e shtetit, pastaj shkon në Kuvend

12.02.2019 20:15:58

Bashkëkryesuesi i Ekipit negociator dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka bërë të ditur se platforma e dialogut me Serbinë tashmë është në finalizim.

Pas takimit të Ekipit negociator, Limaj ka thënë se kjo platform nesër do t’iu dorëzohet liderëve të shtetit, për të dhënë komentet e tyre.

Ai ka bërë të ditur se platforma pastaj pasnesër do të shkojë në Parlamentin e Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Kemi punuar disa orë, në detaje. Dhe nga puna e sotit, kemi ardhur në përfundim që nesër do t’ia dërgojmë krerëve të shtetit, kryeministrit, kryeparlamentarit dhe presidentit, nëse kanë ndonjë koment rreth tekstit. Dhe pasnesër delegacioni i Kosovës do ta miratojë platformën dhe do ta dërgojë në Kuvend. Këto janë rezultatet që kemi marrë sonte”, ka thënë Limaj para gazetarëve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se Kuvendi do ta jap përgjigjen finale për këtë platformë.

Limaj bëri të ditur se e njëjta do t’iu dorëzohet edhe dy partive opozitare, duke aluduar në LDK-në dhe VV-në.

“Në Kuvend do të merret vendimi final. Në fund delegacioni shqyrton vërejtjet nga krerët e shtetit, pastaj e voton draft platformën dhe nga ai moment dërgohet në Parlament. Ne do t’ia dërgojmë edhe dy partive opozitare draft-platformën finale”, ka deklaruar  Limaj.