Lirimi i Tahirit, ironizon Berisha: Festë të madhe ka sonte mafia!

28.05.2018 18:19:03

Heqja e masës së sigurisë për Saimir Tahirin është komentuar edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili rikonfirmon qëndrimin e kahershëm se me drejtësinë po bëhet një lojë që drejtohet nga kryeministri Edi Rama.

“O festë të madhe ka sonte Mafia!”, shkruan Berisha në Facebook duke ironizuar qeverinë.

“Kryegjykatësi, kryeprokurori, kryekushtetuesi, kryemafiozi Edvin Kristaq Rama urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Saimir Trafikut nga pushim në shtëpi, masa qe ai i dha tre javë më parë! Me këtë vendim mbrojti jo vetëm veten dhe vëlla Olsin por edhe Fatziun dhe Geronin e tij nga sulmi sipas tyre kanibalesk i Babales!”, nënvizon më tej ish-kryeministri.

Ironia therëse e Berishës vijon edhe më tej teksa thotë se “operacioni ‘Forca e Krimit’ arriti sot fitoren më të shkëlqyer”.

“Motivi i vendimit të krye, krye, krye, kryemafiozit Rama: Lehtësimi i hapjes së negociatave me BE!?”, mbyll postimin e tij Berisha, duke lënë të kuptohet se vendimi i Apelit për lirimin e ish-ministrit të Brendshëm do të ndikojë negativisht në vendimin e vendeve të BE për negociatat e anëtarësimit.