Lirohen aktivistët e AAK-së që u arrestuan gjatë aksionit simbolik para Qeverisë së Kosovës

02.03.2020 14:57:37

Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë i ka lënë të lirë katër personat e ndaluar nga Policia e Kosovës, gjatë aksionit që po zhvillonin para Qeverisë së Kosovës, pak minuta para seancës së jashtëzakonshme për çështjen e taksës 100 për qind.

Policia njofton se i ka shoqëruar katër persona për t’i intervistuar dhe më pas i ka liruar.

“Rreth orës 11:30, nga njësite policore të stacionit Qendra, janë shoqëruar katër persona, për një aktivitet që është mbajt sot në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Intervistimi i organizatoreve të aktivitetit dhe largimi i arkivolit është bërë me urdhër të  Prokurorit te shtetit. Personat janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve dhe më pas janë liruar, ndërkohë që arkivoli pas ekzaminimit nga ana e njësiteve kompetente është larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndryshe, të rinjtë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë realizuar sot një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, duke e vendosur një arkivol, që sipas të rinjve të AAK-së, simbolizon varrosjen e premtimeve nga Qeveria Kurti.

Të rinjtë e AAK-së në arkivol kanë vendosur mbishkrime “Reciprociteti”, “Parimet”, “Premtimet”, “Taksa 100 për qind”, etj.

Pas këtij aksioni të të rinjve të AAK-së, ka reaguar kjo parti duke dënuar ashpër arrestimin e aktivistëve të tyre.

“Dënojmë ashpër aktin e arrestimit të aktivistëve të Aleancës së të Rinjve të AAK-së, të cilët ishin duke realizuar një aksion simbolik kundër heqjes së taksës, para objektit të Qeverisë”, thuhet në reagim.

Sipas AAK-së, trajtimi policor i qytetarëve të ndershëm, vetëm pse ia kujtojnë Kryeministrit Kurti shkeljen flagrante të parimeve të dikurshme, është kundër frymës së Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi”.