Lista Serbe i reagon Apostolovas: Asociacioni, vetëm sipas marrëveshjes në Bruksel

22.09.2017 19:25:08

Lista Serbe ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova e cila ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet sipas Kushtetuës së Kosovës.

Lista Serbe në një reagim ka deklaruar se nuk do të pranojnë asnjë lloj të Asociacionit, veç atij që është arritur marrëveshje në Bruksel.

“Nëse Apostolova ka harruar, formimimi i Asociacionit rrjedh nga marrëveshja e Brukselit dhe është nënshkruar mes Beogradit dhe Prishtinës, e jo nga ndonjë gjykatë. Lista Serbe dhe populli serb nuk do të pranojë asnjë Asociacion veç në atë mënyrë që është arritur marrëveshje në Beograd”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Sipas kësaj partie, formimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe është shtyrë, por kjo nuk do të thotë se serbët e kanë harruar.

“Nëse deklarata e Apostolovas është edhe e BE-së atëherë për ne është zhgënjyese, sepse kjo do të thotë që BE-ja nuk i respekton marrëveshjet që janë arritur”, ka deklaruar Lista Serbe.

Krejt në fund, partia që është pjesë e qeverisë Haradinaj ka theksuar se ata kurrë nuk do të heqin dorë nga formimin i Asociacionit.