LIVE: Seanca e Kuvendit për Buxhetin dhe Projektligjin për pagat (Video)

02.02.2019 12:28:47

Kuvendi i Kosovës po mban seancë, ku do të shqyrtohet Projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Gjithashtu do të shqyrtohet për herë të dytë Projektligji për pagat në sektorin publik, Projektligji mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, si dhe projektligje të tjera.

Të përkujtojmë se Projektligji për paga ishte temë debatesh të nxehta dhe grevash të shumta gjatë javëve të fundit.

Në shenjë pakënaqësie me këtë projektligj, për tri javë rresht kanë qenë në grevë punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet e arsimit publik në Kosovë. Në grevë hynë edhe punëtorët shëndetësor,  ata të administratës dhe të institucioneve të tjera publike.

Ndërkohë, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, ka shkarkuar sot nga detyra ministrin e Bujqësisë, Nenda Rikalo, që ishte vënë si kusht nga PSD, për ta votuar Projektligjin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2019.

Më poshtë janë të gjitha pikat e rendit të ditës të parapara për seancën e sotme:

1. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura,

2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për zyrtarët publik,

3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për pagat në sektorin publik,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr. 04/L-122 si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256,

6. Propozimi për formimin e Komisionit Ad Hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social,

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019,

8. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin shkurt të vitit 2019, të përcaktuar me Ligjin nr.06/L-20 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018,

9. Shqyrtimi i Propozim-Statutit të Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A.​