Lladrovci u garanton grave të Drenasit përfaqësim më të madh në institucione

15.11.2016 20:32:48

Në takimin konsultativ me gratë e komunës së Drenasit, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ramiz Lladrovci, ka diskutuar dhe ngritur çështjet që do të jenë në vëmendjen e tij si prioritete në komunë.

“Gratë duhet t’i marrin përgjegjësitë, të marrin vendin që u takon, edhe në saje të aftësive, jo vetëm me kuotë. Kuota ekzistuese do të shtohet në Drenas. Këtë e garantoj. Shkollimi i vajzave, aftësimi profesional i grave, punësimi dhe mbështetja për bursa të studenteve, si dhe përkujdesja për Qendrën e përkrahjes së grave, janë disa nga çështjet prioritare”, ka theksuar Lladrovci.

Në këtë takim, ishte e pranishme edhe Justina Shiroka-Pula, kryetare e Gruas Demokratike të Kosovës e cila i dha mbështetje kandidatit të PDK’së,për kryetar të Drenasit, duke theksuar se kuotat e premtuara nga Lladrovci do të realizohen dhe do të bëhet komunë shembull e përqindjes së pjesëmarrjes së grave në pushtetin lokal. Në takimin konsultativ me gratë e Drenasit, Ramiz Lladrovci ishte i shoqëruar nga bashkëshortja Shemsia dhe vajza e tij, Kosovarja.

Gjatë ditës, Lladrovci po ashtu është takuar me përfaqësuesit e klubit të futbollit “Ferronikeli”.

“Krenarisë së sportit tonë, Ferronikelit, do t’i jemi çdo herë në krah dhe mbështetje. Përkrahja e futbollistëve, por edhe hendbollistëve, volejbollistëve, shenjëtarëve, futbollin e vogël e sportistët tjerë do të jetë e vazhdueshme. Sporti në komunën tonë ka arritur nivele që na bëjnë krenar. Këtë rrugë do ta vijojmë me përkushtim”, ka thënë Lladrovci.