Lobimi rus”, Rama: Historia do zbardhet! Basha: PD s’ka lidhje me rusët

09.03.2018 15:16:58

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për qëndrimin e mbajtur nga Lulzim Basha, lidhur me akuzat për financimin rus të lobimit të PD-së.

Rama shkruan se ky rast është një mishmash që provohet edhe nga 2 prononcime të 2 muajve të fundit. Rama shkruan se është e habitshme sesi gjendet disa rusë bujarë që nxjerrin nga xhepat e tyre gjysëm milioni dollarë për një parti shqiptare. “Kjo histori nuk përfundon këtu, pasi do të zbardhet deri në fund”.

“Që është një mishmash financiar xhepash të errët, kjo nuk diskutohet sepse vetë mishmashi provohet edhe nga dy prononcime krejt të kundërta, në harkun e 3 muajve nga i zoti i mishmashit; Që është një mishmash në shkelje të hapur me pasoja penale të disa ligjeve të vendit, as kjo nuk diskutohet dhe për këtë mjafton të dëgjosh qoftë edhe vetëm këto dy prononcime krejt kontradiktore, – shkruan Rama. –  Që është e habitshme që të gjenden disa rusë bujarë (dhe jo vetëm rusë) që të nxjerrin nga xhepat e tyre gjysmë milionë dollarë për një parti shqiptare, as kjo nuk diskutohet që e bën mishmashin edhe më skandaloz, ligjërisht e politikisht! Por që kjo histori s’mund të mbyllet pa u zbardhur deri në fund, nëse ka apo jo, interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cenimit të imazhit të Shqipërisë (drogë drogë drogë krim krim krim), me qëllim pengimin e procesit të integrimit europian dhe destabilizimin e vendit, kjo është absolutisht e padiskutueshme!

Por pas reagimit të kryeministrit Rama dhe mesazhit për kryedemokratin, për akuzat lidhur me “financimi rus i PD”, ka ardhur edhe përgjigja e Bashës. Me një sqarim në faqen e tij në Facebook, Basha e quan qesharake akuzën në fjalë, gatim të Ramës dhe qëndrimeve të tij anti-Trump dhe anti-administratës Trump.

“Akuza që Partia Demokratike ka marrë para prej rusëve për të bërë konspiracion së bashku me Presidentin Trump kundër Edi Ramës është një akuzë qesharake, që vetëm një mendje megallomane si Edi Rama mund ta gatuajë. Këto akuza janë në vazhdën e qëndrimeve anti-Trump dhe anti-administratës Trump nga Edi Rama. PD nuk ka shkelur asnjë ligj dhe nuk ka asnjë lidhje direkte dhe indirekte me asnjë individ, organizatë, kompani apo interes rus”, u shpreh Basha.

Më tej ai sqaron se ditën e djeshme ka akuzuar publikisht Ramën për lidhje të errëta me kompaninë ruse Gunvor, ndërsa sipas tij, ai sot nuk u përgjigj, duke gatuar një tjetër sallatë ruse, si ajo e Mother Jones, për të fshehur të vërtetat.

“Nëse ka rrezik rus në Shqipëri, ai vjen përmes Ramës kryeministër! Jo vetëm sepse si njeri i zhytur në krim, ai është lehtësisht i shantazhueshëm nga kushdo, por sepse ai, konkretisht, ka mirëpritur ndikimin rus! Edi Rama duhet të sqarojë publikisht se kush ia solli, çfarë ka biseduar dhe çfarë i ka premtuar kompanisë Gunvor, me të cilën është takuar të paktën një herë në zyrën e tij në Tiranë.

Ai duhet të sqarojë, gjithashtu, se pse mbështet tezën e përkrahur edhe nga Rusia për shkëmbim territori midis Shqipërisë dhe Serbisë. Rama duhet të sqarojë gjithashtu aferën me kompaninë turke që do të ndërtojë aeroportin e Vlorës, kompani e cila ka kontratë me kompani shtetërore ruse për ndërtim centralesh bërthamore”, shton Basha.

Përsa i përket kontratës së lobimit të Partisë Demokratike, Basha deklaron se “ne i kemi kërkuar prokurorisëshqiptare të kryejë cdo verifikim dhe i kemi dhënë prokurorisë të dokument. Për të ruajtur të njëjtin standard dhe për t’i shërbyer drejtësisë, ftoj publikisht prokurorinë shqiptare të fillojë hetimin e burimit dhe mënyrës si Rama, në konspiracion me të tjerë, shkeli ligjet amerikane duke futur para të huaj në fushatën presidenciale Obama. Për këtë çështje ka një vendim të formës së prerë të drejtësisë amerikane që ka vertetuar faktin dhe krimin, prandaj prokuroria shqiptare e ka të lehtë ta hetojë këtë çështje”

Një shkrim i botuar në revistën amerikane “Mother Jones” pak ditë më parë ngriti dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP”, me bazë në Skoci, qëndrojnë biznesmenë rusë. Por kjo hidhet poshtë nga PD.