Lodrat në Kosovë vijnë nga Kina, rrezikojnë shëndetin e fëmijëve

15.04.2018 00:02:43

Vitin e kaluar Kosova ka importuar rreth 2 milionë kilogramë lodra, apo rreth 8 milionë euro. Sipas të dhënave të Doganës, kjo shifër është afërsisht e njëjtë çdo vit. Pra, në 10 vitet e fundit, Kosova ka importuar rreth 80 milionë euro, apo 20 milionë kilogramë lodra, të cilat kryesisht janë importuar nga Kina.

Përgjatë këtyre viteve, shteti vazhdon të mos ketë asnjë kontroll të cilësisë së tyre. Këtë e konfirmojnë edhe zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë.

Drita Zogaj, mjeke në Institutin Kombëtar i Shëndetësisë Publike, thotë se kjo gjendje është alarmante.

“Realisht, në momentin që nuk kontrollohet asnjë lodër e vetme, dhe ato janë vazhdimisht në kontakt me fëmijët është alarmante, duke e ditur përbërjen e lodrave, duke e ditë edhe mënyrën se si ndahen lodrat, të paktën, për arsye se ato kanë mundësi që ta dëmtojnë edhe shëndetin e fëmijëve, në radhë të parë në disa mënyra”, tha Zogaj në televizionin publik.