Lojë e dobët e skuadrës A dhe skuadrës B në Drenas: ata janë njësoj

18.12.2016 22:55:14

Nga Rexhep Kastrati

Të merreshe me zgjedhjet në Drenas, ishte thjesht humbje kohe dhe të përfshiheshe në një maskarallëk të llojit të vet, e në të cilin të gjithë ishin pjesë të një ekipi, të ndarë në skuadrën A dhe në skuadrën B, C, etj., me përjashtim të kandidatit të LDK-së. Se është kështu, dëshmon fakti se të gjithë kandidatët, përveç atij të LDK-së kanë qenë apo janë njerëz të PDK-së, edhe fakti se në balotazh u bashkua skuadra B me skuadrën C, D etj., po të njëjtit ekip. Pra, përfundimisht u zhvillua një lojë e dobët e skuadrës A me skuadrën B, e ku, siç pritej, rezultati ishte në të mirë të skuadrës A. Ajo që duhet të kuptohet nga të gjithë, sidomos nga mbështetësit e LDK-së, që hamenden, apo kanë iluzion se ngaqë kanë dalë nga skuadra A, skuadrat B, C, D etj., janë kundërshtare, apo edhe armike të skuadrës A, se sado që skuadra të dalin, ato përsëri janë pjesë të të njëjtit ekip. Në Drenas, frika se mos po shpërndahet apo shkapërderdhet elektorati i PDK-së, dolën disa kandidatë të saj, kush gjoja i pavarur, kush si i Nismës, kush si i AKR-së, kurse skuadra tejtër, sekta okulte e Albinit nuk u fut fare në garë, duke u kujdesur që të mos rrezikohej fare Lladrovci. Dhe kjo në Drenas rezultoi me sukses, pasi që jo vetëm se u ruajt vota që ishte në zgjedhjet e fundit, por ajo u rrit, pasi që po të mblidhen votat e Lladrovcit dhe të Xhemajlajt, atëherë del se elektorati i PDK-së jo që nuk është cenuar, por është rritur. Dhe ka ndodhur kjo, sepse edhe një pjesë e elektoratit të pavendosur apo edhe të LDK-së, votuan për njërin apo kandidatin tjetër të PDK-së, pavarësisht se njëri garonte si i skuadrës A, kurse tjetri, i skuadrës B. Konkluzioni i vetëm i rëndësishëm që mund të nxirret është se në Drenas u zhvillua një lojë e dobët me lojtarë të dobët që përfaqësojnë një ekip – ekipin e injorancës, të arrogancës, të kapjes së shtetit, të krimit të organizuar dhe të destruktivitetit njerëzor, politik dhe shoqëror. Tashmë, askush nuk mund të thotë se PDK është e keqja, kurse AAK, Nisma dhe sekta okulte e Albinit janë të mira, sepse tashmë është e qartë se të gjitha janë  njësoj. Tashmë askush nuk mund të thotë se PDK është e kaluara, kurse sekta okulte e Albinit, AAK dhe Nisma janë alternativë për të ardhmen, pasi që të gjitha janë njësoj dhe të angazhuara për ta mbajtur Kosovën peng të së shkuarës destruktive dhe kriminale.