Lojërat Olimpike vënë në qendër të vëmendjes Phenianin

06.02.2018 08:40:18

Pjesëmarrja e Koresë së Veriut në Olimpiket Dimërore në Piongçang të cilat fillojnë këtë javë, ka sjellë një pauzë të përkohëshme të provave bërthamore dhe me raketa. Për vendin mikpritës, Korenë e Jugut, këto zhvillime justifikojnë mbështetjen e saj për zgjidhje paqësore të krizës bërthamore në Gadishullin Korean. Siç njofton nga Seuli korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden, Shtetet e Bashkuara mbeten skeptike lidhur me manovrat politike të Phenianit si përpjekjet për të minuar mbështetjen ndërkombëtare për sanksione të fuqishme ekonomike:

Veriu dhe Jugu do të marshojnë së bashku nën një flamur të përbashkët special në ceremoninë e hapjes të premten në Piongçang. Dy vendet po ashtu do të kenë një ekip të përbashkët për ekipin e hokeit për femra.

Një grup me vajza nga Koreja e Veriut e quajtur “ushtria e bukurosheve” do të jetë e pranishme për të mbështetur atletët nga të dy vendet.

Po ashtu orkestra koreano-veriore “Samjiyon Band” dhe artistë të tjerë do të interpretojnë në Piongçang dhe në Seul.

Për presidentin koreano-jugor, Moon Jae-in, ky bashkëpunim olimpik ndërkorean është pjesë e një nisme më të gjerë diplomatike për zgjidhje paqësore të krizës bërthamore të Koresë së Veriut:

“Duhet të joshim Korenë e Veriut drejt një dialogu për çnukluarizimin që do të përmirësojë edhe marrëdhëniet ndërkoreane.”

Por në Korenë e Jugut po shtohet kundërshtimi ndaj angazhimit të presidentit për Olimpiket. Konservatorët i shohin si lëshime të njëanshme ndaj Veriut shtypës.

Uashingtoni, po ashtu, e shikon bashkëpunimin e Phenianit për Olimpiket si përpjekje për të përmirësuar imazhin e kërcënuar dhe dobësuar mbështetjen ndërkombëtare për sanksione ndaj saj.

“Mendoj se kjo është tërheqje vëmendje nga problemi. Koreja e Veriut po bën atë që ka bërë gjithmonë, që kur situata nxehet, ata fillojnë të flasin”, – tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley.

Presidenti amerikan Donald Trump ka nxitur politikën e “presionit maksimal”, duke theksuar sanksione më të rrepta ekonomike dhe veprime të mundshme ushtarake, për të ndaluar Phenianin që të ndërtojë raketa bërthamore me rreze të gjatë veprimi që mund të synojnë Shtetet e Bashkuara.

Por udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un nuk është i gatshëm të bisedojë për frenimin e programit bërthamor.

Për të theksuar qëndrimin sfidues, Koreja e Veriut pritet të zhvillojë një paradë të madhe ushtarake një ditë para ceremonisë hapëse të Olimpikeve. Pheniani mund të tregojë në paradë raketat balistike që po teston.

Presidenti Trump nuk u shpreh plotësisht kur u pyet kohët e fundit rreth perspektivës për paqe pas Olimpikeve:

“Të shohim si do të shkojnë punët, por mendoj se Olimpiket do të shkojnë shumë mirë. Pas kësaj, të shohim. Besoj se së shpejti do të dalin gjërat në pah.”

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë pezulluar manovrat e përbashkëta ushtarake për Olimpiket, por lanë të kuptohet se do të rifillojnë pas lojërave, pavarësisht kërkesës së Phenianit për të pezulluar manovrat në mbështetje të përmirësimit të marrëdhënieve ndër-koreane.

Ndërkohë, në Uashington ka zëra për një sulm të kufizuar ushtarak si reagim ndaj provokimeve koreano-veriore, pavarësisht rrezikut që mund të shkaktojë një konflikt vdekjeprurës në rajon.