Luftë nervash në Bruksel, por Kosova nuk guxon të gabojë!

02.02.2017 13:13:56

Nga Rexhep Kastrati

“Takim tmerrësisht i keq” është quajtur takimi i fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për shkak të, siç thuhet, dështimit të plotë të tij. Është e qartë se lufta e nervave tashmë ka fituar intensitet dhe me kalimin e kohës do të vijë duke fituar intensitet më shumë. Dhe burimi i kësaj lufte nervash është Serbia, e cila për një kohë relativisht të shkurtër bëri disa provokime të qëllimshme për të sfiduar qetësinë politiko-institucionale të Kosovës. Duhet të kujtojmë se pranë Urës mbi lumin Ibër mbiu një mur që nxiti reagime të forta brenda skenës politike të Kosovës. Në anën tjetër, një tren i dekoruar me murale dhe ikonografi provokative dhe bazë e shovienizmit dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve ishte nisur për në Kosovë. Në Beograd u rrit retorika luftënxitëse, kurse në Kosovë u rishfaq debati për të ashtuquajturin shkëmbim territoresh.

Ndërkohë, Serbia kërkoi hapur rrëzimin e Qeverisë së Kosovës dhe po punon fort që kjo të ndodhë. Edhe nga Rusia erdhën urdhëra për rrëzimin e Qeverisë. Pra, Serbia kishte përgatitur terrenin që takimet në Bruksel të dështonin dhe kështu lufta e nervave të fitojë intensitet. Duhet të kujtojmë se gjithë këto Serbia po i bën për të vënë Kosovën në pozitë të sikletshme dhe në konfrontim me BE-në dhe me SHBA-të qoftë për të imponuar marrëveshje dhe situata të papranueshme për Kosovën, qoftë edhe për të shmangur përgjegjësinë e saj për moszbatim marrëveshjesh.

E kam thënë vazhdimisht se Serbia është e interesuar që marrëveshjet e Brukselit të mos zbatohen, sepse sado të favorshme që janë për komunitetin serb në Kosovë, megjithatë janë larg qëllimeve të saj strategjike: ndarja e Kosovës, ose krijimi i një “Republika Srpska” në Kosovë. Po ashtu, Serbia është vënë në siklet me Kapitullin 35 të BE-së për anëtarësim. Po ashtu, edhe shqetësimi i Serbisë se në fund të këtyre negociatave do të jetë e detyruar ta njohë pavarësinë e Kosovës, është një nga arsyet që e shtyjnë atë që të bëjë gjithçka që të rrisë tensionet ndërmjet saj dhe Kosovës, e që po reflektohen edhe në negociatat në Bruksel.

Dhe natyrisht , strukturat mafiozo-politike shqiptare dhe përgjithësisht rekrutët e saj shqiptarë në Kosovë dhe jashtë saj, janë duke bërë gjithçka që t’ia bëjë sa më të lehtë Serbisë punën për gjunjëzimin e Kosovës dhe për të arritur qëllimet e saj strategjike: në çdo rast dhe pas çdo çështje, po kërkohet me këmbëngulje ndërprerja e negociatave në Bruksel, duke kërkuar pikërisht atë që do Serbia: të detyrohet Kosova të tërhiqet nga negociatat dhe ta marrë përgjegjësinë e plotë për dështimin e tyre. Në këtë mënyrë Serbia lirohet nga përgjegjësia për dështimin e tyre, edhe pse ajo është duke punuar në këtë drejtim, si dhe nga detyrimi për të zbatuar Kapitullin 35 të BE-së. Natyrisht, dështimi i negociatave në Bruksel dhe identifikimi i Kosovës si përgjegjëse për dështimin e tyre, do ta përballte me raporte të acaruara me BE-në dhe e SHBA-të, pra me bashkësinë ndërkombëtare, si dhe do të hapej rruga për alternativa të tjera shumë të këqija për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi. Dhe ndër alternativat e këqija është edhe ndarja e Kosovës, apo edhe krijimi i një “Republika Srpska” në Kosovë.

Gjithsesi, marrëdhëniet e vështirësuara me bashkësinë ndërkombëtare, Kosovës do t’i kushtonin edhe në stabilitetin e brendshëm, sepse marrëdhëniet e tilla do të bënin që të ngriheshin, ose të dështonin shumë procese pozitive të brendshme dhe ndërkombëtare, siç është çështja e FSK-së, apo edhe procesi i MSA-së dhe i liberalizimit të vizave. Edhe brenda vetë bashkësisë ndërkombëtare do të shfaqeshin edhe opcione dhe ndryshime pozicionesh, të cilat do të tumirnin pretendimet serbe dhe ruse ndaj Kosovës. Në këtë kontekst, Kosova, institucionet e saj dhe shoqëria në përgjithësi, nuk guxojnë në asnjë mënyrë që të gabojnë dhe të bien pre e luftës speciale, e provokimeve dhe luftës së nervave që Serbia po imponon dhe që do të imponojë edhe më shumë gjatë ditëve, javëve dhe muajve në vijim.

Kosova, institucionet e saj dhe shoqëria në përgjithësi duhet të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm, stabilë, të zhdërvjelltë dhe të bashkërendojnë të gjitha veprimet, qëndrimet dhe vendimet me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me aleatët tanë strategjikë. Kosova, institucionet e saj dhe shoqëria në përgjithësi duhet të bëjnë gjithçka që përgjegjësinë për dështimin eventual të negociatave në Bruksel t’ia lënë Serbisë, përkatësisht të bëjnë gjithçka që Serbia të ballafaqohet me bashkësinë ndërkombëtare dhe të identifikohet si pala që bën provokime, që rrit tensionet me Kosovën, që nuk është e interesuar për zbatim marrëveshjesh dhe që angazhohen për dështimin e këtyre negociatave. Çdo rrugë tjetër është e keqe, e dëmshme dhe katastrofale për Kosovën dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi, është rrugë e rrënimit të gjithçkaje pozitive që kanë arritur shqiptarët që nga viti 1990 e këndej.