Luginë, dosje e harruar!

27.04.2019 20:15:24

Nga Driton Hyseni

O vendi im, Luginë, vendi që më ngjallë aromën e vërtetë të njeriut, aromën e luleve dhe me jep qetësinë shpirtërore.
Vendi i luleve të bukura, vendi i të gjitha stinëve të vitit, vendi i liqeneve, i lumit Morava, vendi i Idriz Seferit e i Idriz Ajetit, vendi i Ridvan Qazimit e i Sylë Zarbincës.
Vendi i sakrificës e i lodhjes, vendi i të pasurve e i të varfërve, vendi i traditës shqiptare që ruan brez pas brezi me krenari.
O vendi im, Luginë, peisazhin e bukur që ia dhuron mërgimtarëve shqiptarë e turistëve të huaj, nuk ia dhuron asnjë vend tjetër. Përmes teje kalojnë shumë njerëz, prej atij të pasurit e deri te më i varfëri, prej atij më të ngriturit e deri te ai më i ulëti, të gjithë kalojnë përmes teje për të shkuar në destinacionin e tyre dhe asnjëri nuk ta ndjen mërinë që ke për të gjithë, mllefin që ke për secilin prej nesh. Vetëm të shohin peisazhin e bukur dhe për pak secili përfiton mendimin se ti je mirë.

Fatkeqësisht, askush nuk e ndjenë shkeljen e të drejtave njerëzore që mbartë mbi tokën tënde Luginë, sikundër që askush nuk e ndjenë trishtimin që çdo frymorë ka çdo ditë dhe askush se ndjenë korrjen që ta bënë çdo politikan i yti verë e dimër, pranverë e vjeshtë.

Fatkeqësisht, njerëzit e tu që shkelin mbi tokën tënde, Lugina ime, çdo ditë ta shkelin edhe integritetin tënd si vend.

Fatkeqësisht, këta politikanët e tu Luginë, që detyrë e kanë prej frymorëve të tu që të të zhvillojnë, të të avancojnë, të të integrojnë, e të të përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze, ata bëjnë të kundërtën, tentojnë me çdo shkelje e përbuzje ta ngrisin veten sa më lart që është e mundur dhe të jenë të ngopur me paratë që i takojnë popullit e frymorëve të tu.

E dashura Lugina ime, i dashur vendi im, të dashur fshatarë, e qytetarë, të dashur ju të pasur e ju të varfër, në këtë jetë me të vërtetë na ndajnë përkatësia etnike e fetare, ngjyra e forma, gjinia e mosha, por një gjë duhet ta dimë se e vetmja që me të vërtetë përkufizon një njeri është ajo e të qenurit i mirë apo i keq.

E këta që sot e përfaqësojnë Luginën tonë, e përfaqësojnë keq, këta që sot ju udhëheqin e na udhëheqin, na udhëheqin keq. E si mund t’i quajmë përpos njerëz të këqinj?!

Fatkeqësisht, Lugina ime, pos që po të shkatërrojnë këta njerëzit e tu të këqinj, e e keqja që e plotëson të keqen tënde vjen edhe prej jasht, prej njerëzve tu, prej ujit tënd, prej rrugëve e nyjeve tua, të vjen edhe prej shteteve që të kanë shkruar vetëm në ndonjë letër emrin tënd, e ajo letër sot gjendet diku nëpër sirtarët e harruar e të mbuluar me pluhur!

Fatmirësisht, Luginë, ty nuk mund të të zhdukin dot, gjithsecili prej njerëzve tu, një ditë do të kalojnë nëpërmes mallkimit tënd! Pa dyshimin më të vogël.