Luksemburgu ndan 30 milionë euro për Kosovën

24.10.2016 20:31:50

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, priti të hënën në takim delegacionin nga Dukati i Madh i Luksemburgut, i udhëhequr nga ministri për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Punë Humanitare, Romain Schneider.

Përmes një komunikate të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, njoftohet se gjatë takimit, u diskutua progresi dhe sfidat në zbatimin e asistencës paraprake të Luksemburgut në Kosovë, në fushën e arsimit profesional, shëndetësisë dhe ujërave. Në takim gjithashtu u diskutuan edhe fushat e reja, të cilat do të gjejnë mbështetje nga asistenca e ardhshme e Luksemburgut.

Sa i përket sektorit të shëndetësisë, u shqyrtua progresi i arritur në reformat e sistemit shëndetësor dhe implementimit të strategjisë së shëndetësisë. Gjithashtu delegacionet diskutuan reformën e sigurimeve shëndetësore, si dhe themelimin dhe funksionalizimin e Odave për profesionet e shëndetësisë. Në arsim u shqyrtua progresi i arritur në funksionalizimin e Agjencisë së Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe Qendrave të Kompetencës dhe gjithashtu delegacionet diskutuan për mbështetjen e mëtutjeshme të tyre.

“Në takim gjithashtu u diskutua që tanimë nga asistenca e Luksemburgut do të mbështeten edhe disa fusha të reja, sikurse mbështetja ndaj shoqërisë civile, mbështetja institucionale ndaj Ministrisë së Integrimit Evropian për procesin e implementimit të kritereve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, si dhe mbështetja për Ministrinë e Financave mbi implementimin dhe adoptimin e standardeve ndërkombëtare dhe evropiane, si dhe ofrimi i ekspertizës së shtetit të Luksemburgut në sektorin financiar.

Në fund të takimit u nënshkrua marrëveshja bilaterale si dhe memorandumi i mirëkuptimit në vlerë prej 30 milionë euro në shëndetësi, arsim, ujërat, si dhe përkrahje për procesin e integrimit evropian dhe shoqërisë civile. Këto mjete, Luksemburgu ia ofron Kosovës për periudhën 2017-2020”, thuhet në komunikatë.